Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve Gostivisht, Langarica 3 dhe Ura e Dashit

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërive Energia Pulita srl dhe SIAC shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve Gostivisht, Langarica 3 dhe Ura e Dashit në rrjedhën e lumit Gostivisht, rrethi Përmet. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues. Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoriteti Kontraktues).


Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga subjekti i furnizimit të energjisë elektrike përmes një kontrate.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e hidrocentraleve.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës.
Totali i investimeve është 309’815’533 ALL, nga të cilat 142’906’400 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje.
Tarifa koncesionare është 4% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare.
Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke filluar nga viti i 25 – të nga hyrja në fuqi e kontratës.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari ka të drejtë të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve që rrjedhin nga kontrata, por ai duhet të marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues dhe të mos e nënkontraktojë për vlera më të larta se 50% e vlerës së investimit.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive.

Kompania
Idro Energia Pulita
Përshkrimi i kompanisë
Bashkimi i përkohshëm i shoqërive Energia Pulita shpk dhe SIAC. Shoqëria është krijuar më 08.10.2009, me një kapital themeltar prej 1'324'485'668 ALL. Shoqëria është krijuar posaçërisht për të zbatuar kontratën e konçesionit. Zyra e saj qendrore është në adresën: Lagjja Nr.4, Rruga ''Dëshmorët'', Pallati Nr.845, Durrës.
Aksionerët

NCI - 100% të aksioneve
Në Aktin e Themelimit, ortakë të shoqërisë janë Energjia Pulita shpk (51% të aksioneve) dhe SIAC (49% të aksioneve).

Persona dhe entite të lidhura
Gerti Idrizi - administratori aktual (30.07.2018 - 29.07.2023)
Dëfrim Spahiu - administrator (14.12.2012 - 30.07.2018)
Skënder Milaqi - administrator (08.10.2009 - 14.12.2012)


Më 19.10.2018, shoqëria NCI ka përthithur ortakun e vetëm të shoqërisë Energia Pulita shpk dhe për këtë është marrë edhe miratimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës. Tashmë, NCI zotëron 100 % të aksioneve.
Më 01.02.2011 është vendosur që të përjashtohet nga kapitali themeltar i shoqërisë ortaku SIAC shpk. Tashmë, Energia Pulita shpk zotëron 100 % të aksioneve të shoqërisë.

Vendndodhja