Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve Stavec

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërisë Koka shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentralit Stavec në komunën e Martaneshit, rrethi Bulqizë. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues).
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga KESH sha për 15 vitet e para të prodhimit të energjisë.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të kontrollojë rregullisht ecurinë e kontratës.
Koncesionari duhet të krijojë një shoqëri koncesionare për të nisur punimet brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria e re e krijuar do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet në kontratën e koncesionit.
Koncesionari duhet të zbatojë Kodin e Punës, sigurinë teknike, disiplinën teknike, higjienën, sigurimin nga zjarri dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 30 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari do të nisë punimet brenda 30 ditësh nga marrja e lejes së ndërtimit.  
Totali i investimeve është 870’315’194 ALL, nga të cilat 316’871’099 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 10% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Tarifa koncesionare është 4% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari duhet të riinvestojë 51% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve çdo 15 vjet.
Me mbarimin e marrëveshjes, qoftë sipas afatit të zakonshëm ose si një mbarim i parakohshëm i saj, asetet e koncesioneve, duke përfshirë çdo ndërtesë dhe impiant, do t’i transferohet Autoritetit Kontraktues pa kundërshpërblim apo detyrim shtesë.

Kompania
Koka & Ergi Energy
Përshkrimi i kompanisë
Objekti: të zbatojë kontratën konçesionare. Shoqëria është themeluar më 25.06.2008. Kapitali i saj është 100'000 ALL.
Aksionerët

Shijaku - 46% të kuotave.
Koka - 51% të kuotave.
Olsar - Zela - 3% të kuotave.
Në Aktin e Themelimit, shoqëria ka vetëm një ortak Koka shpk.

Persona dhe entite të lidhura
Ersi Salaj - administratori aktual (03.03.2015 - 28.02.2021)
Mehmet Koka - administrator (25.06.2013 - 03.03.2015)


Më 30.06.2015 ortaku Koka ka shitur 46% të kuotave të tij tek shoqëria Shijaku dhe 3% të kuotave të tij tek shoqëria Olsar – Zela. Kështu, janë shtuar 2 ortakë të rinj: Shijaku hde Olsar – Zela. është pakësuar kapitali i Koka shpk nga 100% në 51% të kuotave.
Më 08.09.2014 është lidhur marrëveshje kolaterali financiar.

Vendndodhja