Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Curraj

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërive Telemenia – Alb sha, FK Generators & Equipment Ltd dhe Inter Industries Ltd.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve në rrjedhën e lumit Curraj, rrethi Tropojë. Nuk do të cenohet në mënyrë direkte apo indirekte sasia e ujërave që do të përdore hidrocentrali ekzistues në Lekbibaj. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues). Shoqërisë koncesionare nuk i lejohet të kryejë asnjë lloj tjetër aktiviteti përveç ndërtimit të hidrocentraleve, pra vetëm ato aktivitete që është nënshkruar kjo kontratë. Për të plotësuar këtë objektiv të kontratës, koncesionari duhet të kryejë veprimet si më poshtë:
• Të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të ketë në pronësi, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.
• Të ketë gëzim të qetë të sheshit ku do të zhvillojë punimet.
• Përdorimin e ujit të luginës së lumit Curraj.
• Të shesë dhe të furnizojë me prodhim neto të energjisë elektrike për Shqipërinë dhe jashtë saj.
• Koncesionari do të përmbushë të gjitha detyrimet ligjore për prodhimin, transmetimin dhe shitjen e energjisë elektrike.
• Koncesionari do të plotësojë kërkesat e Autoritetit Kontraktues ose ERE – s me kusht që koncesionari të kompensohet nga Autoriteti për çdo rënie të ardhurash apo rritje kostosh.
• Kur periudha e koncesionit përfundon, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit Kontraktues përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentraleve dhe të objekteve të shtuara.
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara. Impianti do të regjistrohet në emër dhe në pronësi të koncesionarit. Koncesionari do të regjistrojë në emër të tij edhe pronësia mbi pasuritë e paluajtshme brenda sheshit. Ai mund të vendosë në garanci impiantet, sheshin dhe pasuritë e paluajtshme për të siguruar marrjen e kredisë nga bankat e huaja ose vendase.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është, pra në kushtet në të cilat sheshi ndodhet. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë asnjë shpenzim dhe nuk duhet të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim që mund të ketë koncesionari në lidhje me gjendjen e sheshit. Autoriteti Kontraktues do të jetë përgjegjës ndaj koncesionarit në lidhje me kostot e riparimit për ndotje ekzistuese të mjedisit. Gjithashtu, ai do të garantojë dhe çlirojë koncesionarin nga çdo pretendim i të tretëve që pretendojnë se janë dëmtuar nga ndotja e mjedisit.
Autoriteti Kontraktues nuk do t’i japë asnjë subjekti tjetër të drejta për të shfrytëzuar, devijuar apo të çlirojë ujë mbi rrjedhën e ujërave ku kalojnë sheshet e koncesionarit.
Autoriteti Kontraktues do të mbështesë çdo aplikim për Mekanizmin e Zhvillimit të Pastrimit.
Autoriteti Kontraktues është i detyruar të ndihmojë koncesionarin që të pajiset me viza dhe leje pune për punonjësit e huaj.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë koncesionarin në periudha kohore prej 6 muajsh për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe të projektit.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga subjekti i furnizimit të energjisë elektrike përmes një kontrate afatgjatë nëse kjo gjë kërkohet nga koncesionari.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Koncesionari është përgjegjës për ndërtimin e linjave të transmetimit me shpenzimet e tij.
Më kërkesë të koncesionarit mund të ndërtohen “zonat e sigurisë” në mënyrë që të Autoriteti Kontraktues dhe ente të tjera të mbrohen nga “uji i lartë”. “Zonat e sigurisë” do të ndërtohen me shpenzimet e koncesionarit.
Dëmet dhe humbjet e pësuara nga koncesionari për shkak të rritjes së sasisë që ujit që duhet të lëshohet për përdorim civil apo ujitje (si rrjedhojë e ndryshimit të ligjit) do të mbulohen nga enti shtetëror përkatës që e ka shkaktuar këtë dëm.
Nëse kostot e investimit rriten më tepër se 15% nga kostot e parashikuara atëherë koncesionari do të njoftojë Autoritetin Kontraktues dhe këta të 2 duhet që të bëjnë ndryshimet përkatëse në projekt. Nëse nuk bien dakord, atëherë koncesionari ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e kontratës.
Me kërkesë të koncesionarit, Autoriteti Kontraktues do ta ndihmojë koncesionarin në lidhje me procedurat e shpronësimeve ndaj palëve të treta.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e projektit.
Koncesionari duhet të krijojë një shoqëri koncesionare për të nisur punimet brenda 3 muajsh nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria e re e krijuar do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet në kontratën e koncesionit.
Koncesionari do të marrë përsipër trajtimin e ujërave të zeza dhe furnizimin me energji elektrike dhe të marrë përsipër kostot dhe shpenzimet në lidhje me këto detyrime.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës, sigurinë teknike, disiplinën teknike, higjienën, sigurimin nga zjarri dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari nuk duhet të ndërhyjë në burimet ujore që furnizojnë ujësjellësin e zonës dhe të sigurojë ujin e nevojshëm për vaditje për nevojat e bujqësisë.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 12 muajve nga marrja e lejeve të ndërtimit. Afati për t’u pajisur me leje është brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës.
Totali i investimeve është 13’728’387’330 ALL pa TVSH, nga të cilat 5’231’845’852 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 5% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Tarifa koncesionare është 5% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa e përdorimit të ujit është e përfshirë në tarifën koncesionare.
Aksionerët e shoqërisë koncesionare japin garanci se kapitali i paguar do të jetë i barabartë me të paktën 20% të shumës së shpenzimeve kapitale që nevojiten për të kryer punimet e ndërtimit.
Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke filluar nga viti i 25 – të nga hyrja në fuqi e kësaj kontrate.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij por vetëm pasi të ketë marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues dhe jo për më tepër se 50% të vlerës së investimit.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në 6 muajt e fundit të periudhës koncesionare, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues:
• Lëndët e para, lëndët e konsumit dhe pjesët e këmbimit.
• Pasuritë e prekshme personale.
• Pasuritë e paprekshme personale duke përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale.
• Ndërtesat, impiantet dhe mjetet.
• Të dhënat e kompjuterizuara dhe jo të kompjuterizuara, raporte, të dhëna, fotografi, skica, teste, dokumente etj.
• Garancitë e materialeve, pajisjeve dhe punimeve.
• Të drejtat e kontratës duke përfshirë qeratë dhe policat e sigurimit.
• Veprat në progres.

Kompania
Telemenia Curraj
Përshkrimi i kompanisë
Objekti: të zbatojë kontratën konçesionare. Shoqëria është themeluar më 29.03.2012. Kapitali i saj është 1000 ALL.
Aksionerët

FK Generators and Equipments - 7.5% të kuotave.
Telemenia Alb - 85% të kuotave.
Inter Industries - 7.5% të kuotave.

Persona dhe entite të lidhura
Ardjan Kimça - administratori aktual (23.08.2012 - 16.01.2020)
Eduard Koren - administrator ( - 23.08.2012)

Vendndodhja