Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Valbonë

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërisë Valbona Project Company shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve në lumin e Valbonës, rrethi Tropojë. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues). Impianti, pronësia mbi pasuritë e paluajtshme brenda sheshit do të regjistrohen në emër dhe në pronësi të koncesionarit. Ai mund t’i vendosë në garanci impiantet, kontratat për sheshet apo pasuritë e paluajtshme.
Të drejtat e koncesionarit:
1. Projektimin, financimin, ndërtimin, testimin, pronësinë dhe operimin ose përdorimin e impianteve.
2. Gëzim të qetë të aseteve të këtij projekti.
3. Aksesin dhe përdorimin e ujit të luginës së lumit të Valbonës dhe degëve të saj sipas kuotave që janë përcaktuar në kontratë.
4. Të shesë dhe furnizojë me prodhim neto të energjisë elektrike në Shqipëri dhe jashtë saj. Koncesionari do të kompensohet për çdo rënie të ardhurash dhe rritje të kostove.
5. Në fund të periudhës koncesionare, koncesionari do t’i kthejë pa pagesë Autoritetit Kontraktues përdorimin e sheshit, të drejtën e rrugës dhe pronësinë e impianteve.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë asnjë shpenzim dhe nuk duhet të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim që mund të ketë koncesionari në lidhje me gjendjen e sheshit. Autoriteti Kontraktues është përgjegjës ndaj koncesionarit për kostot e riparimit nga ndonjë ndotje ekzistuese e mjedisit dhe të çlirojë koncesionarin nga çdo pretendim i të tretëve që pretendojnë se janë dëmtuar nga kjo ndotje ekzistuese e mjedisit.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues i garanton koncesionarit akses në rrjetin elektrik në çdo kohë.
Autoriteti Kontraktues nuk do t’i japë askujt tjetër të drejta për të shfrytëzuar, devijuar ose çliruar ujë mbi rrjedhën e ujërave që kalojnë në sheshe. Nëse ndodh diçka e tillë, Autoriteti Kontraktues duhet ta rivendosë koncesionarin në gjendjen e mëparshme ose ta dëmshpërblejë atë për kostot dhe fitimin e munguar.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin për të lidhur kontrata me institucionet publike.
Autoriteti Kontraktues do të mbështesë çdo aplikim që kryen koncesionari për Mekanizmin e Zhvillimit të Pastrimit.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat, autorizimet në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e projektit.
Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për detyrimet ligjore dhe kontraktore kundrejt koncesionarit nëse Autoriteti Kontraktues nuk i përmbush dot detyrimet e tij duke shpërblyer të gjitha dëmet e shkaktuara ndaj koncesionarit.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga subjekti i furnizimit të energjisë elektrike përmes një kontrate afatgjatë nëse kjo gjë kërkohet nga koncesionari.
Autoriteti Kontraktues do të vendosë në dispozicion të koncesionarit të gjitha parcelat në pronësi të organeve shtetërore pa pagesë. Këtu nuk përfshihen parcelat në pronësi të organeve të pushtetit vendor. Autoriteti Kontraktues i transferon koncesionarit servitutet apo të drejta reale të tjera si e drejta e ndërtimit, servitute të tjera dhe të drejtën e kalimit. Për parcelat e sheshit që janë në pronësi të organeve të pushtetit vendor, koncesionari duhet të hyj vetë në negociata me to. Të drejtat reale duhet të jenë të lira nga çdo barrë apo interesa të tjera dhe të drejta të palëve të tjera. E drejta e pronësisë së sheshit i mbetet Autoritetit Kontraktues dhe nuk mund të lihet peng. Ndërsa të drejtat e përdorimit mund të hipotekohen, të lihen peng apo të lihen si garanci tek huadhënësi si sigurim për borxhin që mund të merret.
Nëse koncesionari e ka të nevojshme për përmbushjen e kontratën shpronësimin e parcelave pronë private, atëherë ai i kërkon Autoritetit Kontraktues dhe ky i fundit do të nisë procedurat e shpronësimit në bashkëpunim me autoritetet përkatëse qendrore dhe lokale. Në rast se Autoriteti Kontraktues refuzon procedurën e shpronësimit, atëherë koncesionari mund të kërkojë ndërprerjen e kontratës ose të kompensohet për kostot që ka kryer.
Nëse kostot totale të investimit do të jenë mbi 15% të kostove të investimit të parashikuar në kontratë, atëherë koncesionari do të njoftojë Autoritetit Kontraktues dhe ata do të negociojnë për të ndryshuar projektin në mënyrë të tillë që koncesionari të jetë në të njëjtën gjendje sikur të mos kishte ndodhur kjo rritje kostosh.
Tarifa koncesionare është 2% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues.
Tarifa e përdorimit të ujit është e përfshirë në tarifën koncesionare dhe nuk do të paguhet më vete.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë koncesionarin çdo 6 muaj për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe të projektit. Ai ka të drejtë të kryejë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3 mujore gjatë fazës së ndërtimit dhe vënies në punë të projektit për të verifikuar ecurinë e punimeve.
Koncesionari duhet të krijojë një shoqëri koncesionare brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e kësaj kontrate. Koncesionari dhe shoqëria e re e krijuar do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet në kontratën e koncesionit.
Koncesionari duhet të marrë masa për të trajtuar ujërat e zeza dhe furnizimin me energji elektrike dhe të mbulojë kostot në lidhje me këto.
Koncesionari duhet të paraqesë projektin e hidrocentraleve tek Autoriteti Kontraktues që ky i fundit ta miratojë. Koncesionari duhet të zbatojë projektin.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës, sigurinë teknike, disiplinën teknike, higjienën, sigurimin nga zjarri dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari nuk duhet të ndërhyjë në burimet ujore që furnizojnë ujësjellësin e zonës dhe të sigurojë ujin e nevojshëm për vaditje për nevojat e bujqësisë.
Totali i investimeve është 52’368’664 euro pa TVSH, nga të cilat 15’815’000 euro do të investohen në makineri dhe pajisje.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 24 muajve nga marrja e lejeve të ndërtimit. Afati për t’u pajisur me leje është brenda 24 muajve nga data e hyrjes në fuqi të kontratës.
Koncesionari duhet të raportojë çdo 3 muaj pranë Autoritetit Kontraktues në lidhje me realizimin e programit të investimeve në vlerë dhe në natyrë dhe më pas sasinë e prodhimit të energjisë elektrike.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 5% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke filluar nga viti i 25 – të nga hyrja në fuqi e kësaj kontrate.
Koncesionari duhet të marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues për transferimin e 51% të kuotave/ aksioneve të kapitalit themeltar.
Koncesionari nuk mund të nënkontraktojë pjesë të shërbimeve të tij për më tepër se 50% të vlerës së investimit pa marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së koncesionit. Koncesionari do të transferojë tek Autoriteti Kontraktues sa më poshtë:
• Impiantet, të cilat duhet të jenë në gjendje të mirë dhe funksionale.
• Të drejtat e koncesionit shuhen dhe koncesionari nuk i gëzon më.
• Lëndët e para, lëndët e konsumit dhe pjesët e këmbimit.
• Pasuritë e prekshme personale.
• Pasuritë e paprekshme personale duke përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale.
• Ndërtesat dhe mjetet.
• Të dhënat e kompjuterizuara dhe jo të kompjuterizuara, raporte, të dhëna, fotografi, informacione, skica, teste, dokumente.
• Garancitë e materialeve, pajisjeve dhe punimeve.
• Të drejtat e kontratës si qeratë dhe policat e sigurimit.
• Veprat në progres si punimet e ndërtimit.

Kompania
Valbona Energy Albania
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 12.11.2013. Kapitali i saj është 100'000 ALL.
Aksionerët

Valbona Project Company - 100% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Hasnie Kasneci - administratori aktual (12.11.2013 - 17.12.2023)

Vendndodhja