Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Kultivimi i ullirit në Synej, Luz i Vogël, Kryevidh dhe Gosë, Kavajë

Kontrata koncesionare është lidhur midis Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe shoqërisë Agrotal 1 sha.
Objekti i kontratës është ofrimi i shërbimeve: dhënia me koncesion të sipërfaqes së tokës deri në 1000 ha (jo më pak se 700 ha) për kultivimin e ullirit në komunat Synej, Luz i Vogël, Kryevidh dhe Gosë në Kavajë.
Në këtë kuadër, koncesionari do të projektojë, ndërtojë, vërë në shfrytëzim, administrojë, mirëmbajë masivin e ullishtes, tregtimin e ullirit dhe të transferojë masivin e ullirit në përfundim të kontratës nga koncesionari tek Autoriteti Kontraktues.

Pra, kontrata është e formës BOT. Kështu, në zbatim të kontratës, koncesionari do të kryejë proceset e mëposhtme:
1. Ngritja e masivit të ullishtes që do të përfshijë punimet:
a) Marrja e masave për ndërtimin e infrastrukturës.
b) Shpyllëzimi i territorit.
c) Sistemimi sipërfaqësor i terrenit.
d) Organizimi i territorit.
e) Plehërimi bazë organo – mineral.
f) Punimi i thellë qilizëm.
g) Punime të tjera pas mbjelljes.
h) Punime për piketimet.
i) Distancat e mbjelljes.
j) Vendosja e sistemit të ujitjes.
k) Mbjellja e fidanëve.
l) Vendosja e mjeteve mbështetëse.
2. Shërbimet në ullishtë pas mbjelljes:
a) Plehërimi dhe ujitja sistematike.
b) Krasitja dhe formimi.
c) Mbrojtja fitosanitare.
d) Sistemi racional i vjeljes.
3. Plehërimi dhe ujitja
a) Përzgjedhja e dozave dhe llojeve të plehërimit.
b) Plehërimi gjethor.
c) Plehërimi me ujitje.
d) Plehërimi në tokën e livadhëzuar të ullishtes.
e) Ujitja.
4. Formimi i kurorave të ullirit
a) Përzgjedhja e formave të kurorave si: shkurore, vazo polikonike, vazo shkurore, monokonike, palmete elipsoidale.
b) Mirëmbajtja e kurorave.
5. Zgjidhja e problemeve fitosanitare
a) Njohja e dëmtimeve të rrezikshme për kulturën.
b) Përcaktimi i kritereve bazë mbi të cilat vlerësohet prania dhe niveli i rrezikut të dëmtuesve dhe sëmundjeve.
c) Përcaktimi i produkteve fitosanitare të lejuara për përdorim.
6. Praktika kulturale të kryera deri në futjen në prodhim të plotë të plantacioneve:
a) Mbajtja e tokës me bimësi.
b) Mbajtja nën kontroll për monitorimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve.
c) Ujitja
d) Krijimi i kurorave
7. Praktika kulturale të kryera me futjen e ullinjve në prodhim të plotë
a) Mobilizim dhe trajnim të krahut të punës.
b) Mbrojtja nga gërryerjet.
c) Mirëmbajtja e rrjetit antierozion dhe ndërtimi i rrjetit të rrugëve.
d) Trajtim i tokës nën ullishtë.
e) Plehërimi.
f) Ujitja
g) Krasitja
h) Zgjidhja e problemeve fitosanitare
i) Vjelja
8. Investimi në ndërtimin e infrastrukturës si zyra, depo, rrugë, impiante vaditjeje dhe spërkatjeje, plehërimi organik, teknologji bashkëkohore.
9. Mbrojtja e fosileve, antikuarëve dhe pasurive arkeologjike.
Koncesionari ka të drejta ekskluzive për të përdorur dhe zhvilluar sipërfaqen tokësore prej 700 – 1000 ha dhe Autoriteti Kontraktues nuk duhet t’i japë leje ndonjë pale të tretë për të kryer veprimtari në këtë sipërfaqe. Koncesionari dhe shoqëria koncesionare do të jenë individualisht dhe solidarisht përgjegjës për detyrimet që rrjedhin nga kjo kontratë për një periudhë prej 20 vjetësh nga data efektive e kontratës. Pas 20 vjetëve, përgjegjësia për të përmbushur detyrimet e kësaj kontrate i mbetet vetëm shoqërisë koncesionare.
Koncesionari do të krijojë një shoqëri koncesionare brenda 30 ditëve nga data efektive e kësaj kontratë. Ai do t’i transferojë shoqërisë koncesionare të gjitha të drejtat dhe detyrimet e koncesionarit.
Kohëzgjatja e kontratës është 99 vjet. Palët mund të zgjasin kontratën nëse ndodh ndonjë forcë madhore, nëse Autoritetit Kontraktues ose ente të tjera publike vonojnë procedurat ose dhënien e lejeve të përshtatshme ose pengojnë punën e koncesionarit ose nëse palët në kontratë bien dakord me vullnet të lirë për ta zgjatur afatin.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë koncesionarin që ky i fundit të sigurojë sa më shpejt të gjitha lejet, licencat dhe autorizimet pranë institucioneve shtetërore nën varësinë e Autoritetit Kontraktues dhe të institucioneve të tjera shtetërore që nuk janë nën varësinë direkte të Autoritetit Kontraktues.
Në fund të periudhës koncesionare, koncesionari do të dorëzojë tek Autoriteti Kontraktues pa asnjë barrë, detyrim apo hipotekë sa më poshtë:
• Masivin e ullirit.
• Inventarin e aseteve me vlerën kontabël neto.
• Titullin e pronësisë për ndërtesat dhe impiantet e ndërtuara nga shoqëria koncesionare.
Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj para datës së mbarimit të periudhës koncesionare.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë që të monitorojë koncesionarin në lidhje me zbatimin e detyrimeve nga ana e tij në periudha kohore prej 6 muajsh.
Nëse koncesionari dëshiron të zbatojë teknologji të reja dhe më inovative për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, atëherë ai duhet të paraqesë këtë projekt tek Autoritetit Kontraktues dhe të presë për miratimin e tij.
Koncesionari ka të drejtë që të vendosë hipotekë, peng apo ndonjë barrë tjetër mbi asetet që do të krijojë në zbatim të projektit. Gjithashtu, ai mund të lidhë çdo lloj marrëveshje financimi me çdo palë financuese me kush që hipoteka, pengu apo barra tjetër dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë për të përmbushur detyrimet e kontratës.
Koncesionari mund të nënkontraktojë shërbimet e tij, por duhet të njoftojë paraprakisht Autoritetin Kontraktues.
Autoriteti Kontraktues duhet të sigurojë që t’i jepet koncesionarit pa pagesë apo detyrime të gjitha të drejtat e kalimit, servitutit dhe lehtësira të tjera në pronën shtetërore në mënyrë që koncesionari të zbatojë detyrimet e tij. Nëse koncesionarit i nevojitet që të fitojë të drejta të kalimit edhe mbi pasuri të paluajtshme në pronë private atëherë ai duhet t’i kërkojë Autoritetit Kontraktues nisjen e procedurave të shpronësimit. Shpenzimet e shpronësimit do të përballohen nga koncesionari.
Nëse Autoriteti Kontraktues i shkakton dëme koncesionarit përmes veprimeve ose mosveprimeve të tij atëherë ai duhet ta dëmshpërblejë koncesionarin.
Autoriteti Kontraktues nuk duhet të licencojë subjekte të tjera që të kryejnë aktivitete në vendin ku do të zhvillohet kultivimi i ullirit. Këto subjekte të tjera përmes veprimtarisë së tyre mund të dëmtojnë operacionet e koncesionarit.
Autoriteti Kontraktues duhet të sigurojë që sipërfaqja e tokës së dhënë me koncesion nuk do të përfshihet në asnjë plan urbanistik, nuk do t’i jepet e drejta për të ndërtuar në këtë truall asnjë pale të tretë, e gjithë sipërfaqja e tokës e dhënë me koncesion do të regjistrohet në Zyrën e Pasurive të Paluajtshme në emër të shoqërisë koncesionare.
Koncesionari duhet të angazhojë punonjës në zbatim të Kodit të Punës. Ai duhet të zbatojë projektin e rënë dakord në kontratë. Koncesionari duhet të marrë masat e duhura për të garantuar kushtet e sigurisë në punë për punonjësit. Ai duhet të garantojë mbrojtjen e mjedisit.
Koncesionari duhet të realizojë prodhimin mesatar vjetor 10 ton/ ha.
Koncesionari duhet të respektojë dhe të mos pengojë kalimin e individëve në ato rrugë kalimi (që kalojnë përmes masivit të ullishtës) që kanë qenë përpara datës së kontratës. Për këtë arsye, ai duhet të përcaktojë qartë në projekt këto rrugë kalimi dhe këto rrugë kalimi nuk do të konsiderohen si pjesë të sipërfaqes së dhënë.
Koncesionari duhet të sigurojë asetet në masën prej të paktën 70% të vlerës së investuar dhe të paraqesë dokumentacionin përkatës Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari duhet të sigurojë kontratën pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh për një vlerë të barabartë me 7% të vlerës totale të investimit. Kjo bëhet në mënyrë që të garantohet zbatimin i detyrimeve që rrjedhin nga kontrata. Në rast se koncesionari nuk përmbush ndonjë detyrim të kontratës, atëherë Autoriteti Kontraktues mund të mbajë penalitetin nga kjo vlerë e siguruar. Në këtë rast, koncesionari duhet ta plotësojë sërish sigurimin e kontratës.
Koncesionari do të marrë në dorëzim truallin të lirë nga çdo pretendim pronësie apo barre brenda 12 muajve nga data efektive e kontratës. Ai do të gëzojë paqësisht tokën dhe asetet e koncesionit. Vetëm Autoriteti Kontraktues do të jetë përgjegjës para të tretëve për pretendime apo të drejta pronësie mbi tokën dhe asetet e projektit. Autoriteti Kontraktues ruan të drejtën e pronësisë së tokës gjatë gjithë periudhës së koncesionit.
Koncesionari mund të transferojë kuota/ aksione personave të tretë vetëm pasi të ketë marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues. Koncesionari mund të transferojë deri në 49% të kuotave/ aksioneve brenda një periudhe 15 vjeçare. Pas kësaj periudhe, nuk aplikohen kufizime të tjera. Autoriteti Kontraktues nuk do të refuzojë transferimin e kuotave tek subjekte ekonomike që veprojnë në të njëjtën fushë si shoqëria koncesionare, që ka eksperiencë të ngjashme dhe kapacitet të shëndoshë financiar.
Tarifa koncesionare është e barabartë me 0.2% të të ardhurave vjetore të realizuara nga shitjet (duke përjashtuar TVSH – në).
Vlera e investimit është 1’906’500 ALL/ ha. Koncesionari do të riinvestojë çdo 30 vjet në ullishte dhe teknologji në vlerën 20% të vlerës totale të investimit, përkatësisht 60% të vlerës së riinvestimit në ullishtë dhe 40% në teknologji.
Nëse ndonjëra nga palët do të rishikojë kostot dhe shpenzimet atëherë duhet ta njoftojë palën tjetër me shkrim. Nëse do të ketë shtim të kostove pas datës efektive të kontratës si rrjedhojë e ndonjë ndryshimi në ligj, atëherë koncesionari nuk do të jetë i detyruar të përballojë këtë kosto shtesë.

Kompania
Agrotal 2
Përshkrimi i kompanisë
Objekti: zbatimi i kontratës së konçesionit. Shoqëria është themeluar më 02.10.2009. Kapitali i saj është 9'812'500 ALL.
Aksionerët

Agrotal 1 - 100% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Durim Meta - administratori aktual (18.09.2015 - 16.10.2021)
Klodian Shatraj - administrator (02.09.2014 - 18.09.2015)
Artur Dojaka - administrator (02.10.2009 - 02.09.2014)


Më 28.05.2019 është lidhur një marrëveshje barre siguruese mbi pasuritë e luajtshme të barrëdhënësit Agrotal 2 shpk dhe Bankës Credis (barrëmarrës) për kredinë që kjo e fundit i ka dhënë shoqërisë.
Më 01.11.2017 është lidhur marrëveshja siguruese midis barrëdhënësit Agrotal 2 shpk dhe barrëmarrësit Credisn Bank sha.
Më 13.11.2015 është nënshkruar marrëveshja siguruese e lidhur midis barrëdhënësve shoqëria Agrotal 1 sha, Artur Dojaka, Aranit Isufi, Agim Bedo, Dardi Çinari, Gëzim Kukaj, dhe barrëmarrësit Banka Credins sh.a. Barra siguruese do të vendoset mbi 100% të aksioneve të shoqërisë Agrotal 2 shpk.
Më 16.04.2013, shoqëria përmbaruese private EPSA ka lëshuar urhdrin për vendosjen e sekuestros mbi kuotat që zotëron debitori Artur Harun Dojaka në shoqërinë Agrotal 2 shpk duke ndaluar tjetërsimin ose disponimin e tyre. Më 15.05.2013 është urdhëruar heqja e masës së sekuestros mbi këto kuota nga shoqëria përmbaruese private EPSA.

Vendndodhja