Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i Portit të Jahteve në Kalanë e Turrës

Kontrata e koncesionit është nënshkruar midis Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe shoqërive Finsec Ltd dhe Doprastav sa.
Objekti i kontratës është: ndërtimi, shfrytëzimi dhe transferimi i një porti jahtesh në kalanë e Turrës, komuna Synej, Kavajë. Koncesionari mund të ofrojë edhe shërbime akomodimi. Ai do të ofrojë shërbime portuale për mjetet lundruese dhe shërbime turistike të lidhura ngushtësisht me portin. Kontrata është e formës BOT.


Kohëzgjatja e kontratës është 35 vjet, por palët mund të bien dakord që ta zgjasin kontratën edhe pasi ka përfunduar ky afat.
Autoriteti Kontraktues i jep të drejtën koncesionarit që të hyjë, të marrë në dorëzim dhe të përdorë sipërfaqen e portit prej 17 hektarësh. Nëse koncesionari dëshiron të përdorë sipërfaqen portuale për qëllime të tjera shtesë, që nuk janë parashikuar në këtë kontratë, duhet të marrë miratimin me shkrim të Autoritetit Kontraktues.
Për Sipërfaqen e Portit me regjim juridik “pasuri publike”, koncesionari do të pajiset me licencën përkatëse për përdorim të sipërfaqes ujore të lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Ujit dhe me lejen përkatëse për sipërfaqe tokësore nga Qendra Kombëtare e regjistrimit. Ndërsa, për Sipërfaqen e Portit me regjim juridik “pasuri jopublike”, palët do të lidhin kontratë sipas legjislacionit.
Nëse brenda sipërfaqes ka toka në pronësi private, koncesionari do t’i kërkojë Autoritetit Kontraktues shpronësimin e pronave private. Në këtë rast, koncesionari duhet të ketë paraqitur gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe të ketë shumën financiare për shpronësimet.
Autoriteti Kontraktues nuk e garanton gjendjen e sipërfaqes së portit (hapësirën mbi tokë, nëntokësore dhe nëndetare). Koncesionari e pranon sipërfaqen ashtu siç është.
Koncesionari do të krijojë brenda 30 ditëve shoqërinë koncesionare së cilës do t’i transferojë të gjitha të drejtat dhe detyrimet e tij. Koncesionari dhe shoqëria koncesionare do të jenë debitorë solidarë në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata.
Të gjitha kontratat që koncesionari do të lidhë me të tretët do të kenë një periudhë vlefshmërie deri në 2 muaj pas përfundimit të periudhës koncesionare.
Koncesionari do të sigurojë shërbimet në mënyrë të pandërprerë dhe të vazhdueshme për sa kohë është në fuqi kontrata, pavarësisht pretendimet apo padive që mund të kenë ngritur ndaj tij Autoriteti Kontraktues ose palë të treta.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin gjatë procedurave për pajisje me leje, autorizime dhe licenca.
Tarifa koncesionare është 2% e xhiros vjetore para tatim fitimit dhe duke përjashtuar TVSH – në. Koncesionari duhet të paguajë Tarifën koncesionare menjëherë pas shpalljes Port i Hapur për Trafik Ndërkombëtar.
Koncesionari do të krijojë të ardhura duke zbatuar tarifa shërbimi. Tarifa është 10 euro në ditë për 12 metër gjatësi të mjetit lundrues.
Vlera e investimit është 4’450’000’000 ALL. Koncesionari duhet të paraqesë brenda muajit janar të çdo viti një plan riinvestimit për të ruajtur standardet e portit. Vlera që Koncesionari duhet të riinvestojë është 13% e vlerës efektive që do të investohet drejtpërdrejt në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme duke nisur nga viti i 31 – të i periudhës koncesionare. Nëse kontrata përfundon para vitit të 31 – të, Koncesionari detyrohet t’i paguajë Autoritetit Kontraktues shumën e plotë të vlerës së riinvestimit.
Koncesionari do të shpenzojë jo më pak se 1% të shumës vjetore të grumbulluar nga tarifat e shërbimit për mirëmbajtjen e portit dhe të aseteve të tij.
Koncesionari duhet të sigurojë kontratën përmes një sigurimi kontrate të parevokueshme dhe të pagueshme me kërkesën e parë në formën e një sigurimi të pakushtëzuar. Ky sigurim do të lëshohet nga një shoqëri sigurimesh. Vlera e sigurimit do të jetë deri në shumën 150’000’000 ALL. Kjo bëhet për të garantuar përmbushjen e detyrimeve nga koncesionari.
Koncesionari do të ketë si objekt të veprimtarisë së tij zbatimin dhe përmbushjen e kushteve të kontratës dhe çdo aktiviteti tjetër ndihmës apo plotësues.
Ortakët e shoqërisë do të transferojnë, shesin ose disponojnë aksionet e shoqërisë vetëm me miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari mund të nënkontraktojë shërbime pa miratimin e Autoritetit Kontraktues. Nëse nënkontraktimi kalon 20% të vlerës së investimit, koncesionari duhet të njoftojë me shkrim Autoritetin Kontraktues. Koncesionari është përgjegjës përpara Autoritetit Kontraktues në lidhje me veprimtarinë e nënkontraktorëve të tij.
Koncesionari duhet të garantojë sigurinë në territorin ku do të ushtrojë aktivitetin dhe do të ofrojë shërbimet. Ai duhet të lejojë Autoritetin Kontraktues që të monitorojë dhe të kontrollojë përmbushjen e kontratës.
Koncesionari duhet të realizojë çdo punim shtesë me shpenzimet e veta. Këto punime shtesë mund të jenë të nevojshme për të korrigjuar defektet apo mangësitë e konstatuara nga Autoriteti Kontraktues dhe do të përfundojë në kohë projektin.
Koncesionari duhet të kryejë sigurimin e operacioneve të punës përmes policave të sigurimit që duhet t’ia paraqesë Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari duhet të zbatojë legjislacionin mjedisor në lidhje me ndotjen e ajrit, tokës, emetimin e zhurmave etj, Kodin e Punës, sigurimin teknik, disiplinën teknike, mbrojtjen në punë, higjienën, sigurimin nga zjarri.
Koncesionari do të mbulojë vetë të gjitha kostot në lidhje me riparimet dhe zëvendësimet e pajisjeve. Gjithashtu, ai duhet të përballojë vetë të gjitha kostot në lidhje me dëmshpërblime për dëme që mund t’i ketë shkaktuar palëve të treta.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë koncesionarin në lidhjen e marrëveshjeve dhe kontratave me institucionet publike.
Koncesionari do të përgatisë projektet me kostot e veta.
Koncesionari do të nisje punën brenda 90 ditëve nga pajisja me leje, autorizime dhe licenca.
Koncesionari garanton se i ka të gjitha të drejtat e pronësisë intelektuale duke përfshirë licencat që kanë të bëjnë me hardware dhe software.
Pas fazës ndërtimore, Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin dhe do të ndërmjetësojë në vendosjen dhe ngritjen sa më të shpejtë në port të shërbimit të kontrollit kufitar dhe doganor, sanitar dhe çdo shërbimi tjetër.
Koncesionari do të administrojë, shfrytëzojë, mirëmbajë dhe riparojë objektin e koncesionit dhe asetet me shpenzimet, kostot dhe në riskun e tij. Detyrat e mirëmbajtjes do të përfshijnë:
1. Vendet e ankorimit dhe pontilet
• Koncesionari do të sigurojë një përdorim optimal të objektit të koncesionit dhe aseteve në port.
• Do të minimizojë rrjedhën e trafikut në rast aksidentesh që prekin sigurinë në port.
• Do të ketë burimet financiare, teknike, teknologjike, administrative dhe burimet e tjera për shfrytëzimin, mirëmbajtjen, riparimin dhe zëvendësimin në kohë të përshtatshme të aseteve që mund të dëmtohen.
• Do të administrojë infrastrukturën dhe shërbimet sipas parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari” (first come, first serve) dhe parimit të mosdiskriminimit.
• Do të ruajë në mënyrën e duhur të dhënat, regjistrimet dhe llogarinë që kanë të bëjnë me shfrytëzimin e portit dhe ofrimin e shërbimeve dhe pasqyrimin e saktë të xhiros.
• Do të ndalojë çdo cënim apo përdorim të paautorizuar të portit dhe aseteve të tij.
2. Riparimet dhe mirëmbajtja.
• Do të riparojë dhe mirëmbajë portin dhe asetet e tij.
3. Aksesi për inspektime për ekspertët e Autoritetit Kontraktues.
4. Raportimi vjetor pranë Autoritetit Kontraktues për trafikun e mjeteve lundruese dhe tarifat e vjela.
5. Sistemi dhe rrjeti kompjuterik.
6. Siguria në porte.
7. Punësimi i personelit të kualifikuar.
8. Dëmshpërblimi ndaj të tretëve për dëme që koncesionari mund t’u sjellë.
9. Krijimi i infrastrukturës së përshtatshme për doganën dhe policinë.
Koncesionari do të sigurojë programimin e hyrjes, ankorimit dhe lundrimit të jahteve; mbajtjen e kanalit të hyrjes në parametrat e duhura; thellësinë e duhur të hauzeve dhe të kryejë operacione mirëmbajtjeje dhe kapitale përgjatë platformës së akostimit.
Procesi i dorëzimit të portit do të nisë 3 muajt e fundit të periudhës koncesionare. Koncesionari do t’i transferojë Autoritetit Kontraktues sa më poshtë:
• pronësinë e të gjitha pasurive të paluajtshme brenda portit (tokësore dhe ujore).
• Dokumentet, kontratat e lidhura me kontraktorë dhe nënkontraktorë.
• Dokumentet dhe materialet teknike, juridike dhe financiare që lidhen me koncesionin.
• Transferimi i të gjitha pajisjeve, makinerive dhe të gjitha pasuritë e tjera të luajtshme në gjendjen e tyre funksionale.
• Të drejtat e pronësisë intelektuale.

Kompania
Finsec Port sha
Përshkrimi i kompanisë
Finsec Port është bashkimi i shoqërive Finsec LTD dhe Doprastav SA. Finsec Port është themeluar me 08.07.2013, si shoqëri aksionare. Kapitali themeltar është 3'500'000 AL.
Shoqëria është krijuar në përmbushje të kontratës së konçesionit të miratuar me VKM nr. 505 datë 30.05.2013.
Aksionerët

Finsec AG - 80% të aksioneve
Victoria Invest - 20% të aksioneve

Persona dhe entite të lidhura
Artan Kraja - administratori aktual (08.07.2013 - 08.07.2022)
Më 27.08.2013 është largohet ortaku Dobrastav SA dhe aksionet e saj në masën 20% të kapitalit i transferohen shoqërisë Victoria Invest.

Vendndodhja