Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit, Fangu

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërive Ayen Enerji Anonim Sirketi dhe AS Energy shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve Gojan, Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit, Fangu në rrjedhën e lumit Fan, rrethi Pukë dhe Mata. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues). Shoqërisë koncesionare nuk i lejohet të kryejë asnjë lloj tjetër aktiviteti përveç ndërtimit të hidrocentraleve, pra vetëm ato aktivitete që është nënshkruar kjo kontratë. Për të plotësuar këtë objektiv të kontratës, koncesionari duhet të kryejë veprimet si më poshtë:
• Të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të ketë në pronësi, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.
• Të ketë gëzim të qetë të sheshit ku do të zhvillojë punimet.
• Kur periudha e koncesionit përfundon, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit Kontraktues përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentraleve dhe të objekteve të shtuara.
• Koncesionari duhet të ketë të drejtën ekskluzive ndaj çdo atributi mjedisor që mund të ketë nga projekti.
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë asnjë shpenzim dhe nuk duhet të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim që mund të ketë koncesionari në lidhje me gjendjen e sheshit. Nëse koncesionarit i nevojitet edhe truall që është pronë private për të kryer veprimtarinë, atëherë ai i paraqet të gjithë dokumentacionin Autoritetit Kontraktues dhe ky i fundit mund të nisë procedurat e shpronësimit. Kostot e procedurës së shpronësimit i mban koncesionari.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë koncesionarin çdo 3 muaj për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe të projektit.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet. Nëse në momentin kur ka kaluar periudha e kontratës, koncesionari mund të shprehë vullnetin për të vazhduar veprimtarinë dhe kësisoj kontrata mund të zgjatet.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga subjekti i furnizimit të energjisë elektrike përmes një kontrate afatgjatë nëse kjo gjë kërkohet nga koncesionari.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e projektit.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin për të lidhur marrëveshje ose kontrata me institucione publike.
Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për detyrimet ligjore dhe kontraktore dhe do të dëmshpërblejë koncesionarin për të gjitha dëmet që mund t’i shkaktojë në rast mospërmbushje të detyrimeve të tij.
Koncesionari duhet të krijojë një shoqëri koncesionare për të nisur punimet brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria e re e krijuar do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet në kontratën e koncesionit.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës, sigurinë teknike, disiplinën teknike, higjienën, sigurimin nga zjarri dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari nuk duhet të ndërhyjë në burimet ujore që furnizojnë ujësjellësin e zonës dhe të sigurojë ujin e nevojshëm për vaditje për nevojat e bujqësisë.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 54 muajve nga data e marrjes së lejeve. Afati për t’u pajisur me leje është brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari do të nisë punimet brenda 30 ditësh nga marrja e lejes së ndërtimit.  Aplikimi për pajisjen me leje do të kryhet brenda 30 ditëve nga miratimi i projektit përfundimtar nga Autoriteti Kontraktues.
Totali i investimeve është 16’322’955’740 ALL me TVSH, nga të cilat 4’649’935’969 ALL me TVSH do të investohen në makineri dhe pajisje.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 5% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Tarifa koncesionare është 2.1% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare.
Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke filluar nga viti i 25 – të nga hyrja në fuqi e kësaj kontrate.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari nuk mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij për një vlerë më të lartë se 50% të vlerës së investimit pa marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive. Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së koncesionit.
Më 20.01.2017 është nënshkruar një shtesë kontrate midis Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe Ayen AS Energji sha dhe Ayen Enerji Anonim Sirketi. Ndryshimet kryesore janë si më poshtë:
1. Shoqëria koncesionare Ayen AS Energji sha e ka gjykuar më të leverdisshme teknikisht ndërtimit e vetëm 3 hidrocentraleve në vend të 5 të tillave. Kështu do të ndërtohen vetëm 3 hidrocentralet Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fangu.
2. Autoriteti Kontraktues do të lidhë një marrëveshje uzufrukti me shoqërinë koncesionare për pronat shtetërore që preken nga projekti i ndërtimit të hidrocentraleve.
3. Koncesionari duhet të dëmshpërblejë Autoritetin Kontraktues dhe palët e treta për dëme që mund t’i sjellë gjatë veprimtarisë së saj. Në këtë kuptim, koncesionari duhet të dëmshpërblejë edhe për infrastrukturën e dëmtuar si rrugë, venddepozitim mbetjesh urbane etj.
4. Investimet që do të kryhen do të jenë në vlerën 210’184’740 euro dhe jo 16’322’955’740 ALL me TVSH siç ishte parashikuar në kontratën fillestare.
5. Sigurimi i kontratës nuk do të jetë 680’000’000 ALL siç ishte parashikuar në kontratën fillestare, por 10’509’237 euro.
6. Nëse shoqëria koncesionare transferon aksione ndërmjet ortakëve të saj, nuk është e nevojshme miratimi i Autoritetit Kontraktues, por ai duhet të njoftohet.

Kompania
Ayen AS Energji
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 27.05.2011. Kapitali i saj është 11'900'000'000 ALL.
Aksionerët

Fahrettin Amir Arman - 1% të kuotave
AS Energy - 9% të kuotave
Ayen Enerji Anonim Sirketi - 82% të kuotave
Ayel Elektrik Uretim Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi - 8% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Fahrettin Amir Arman - administratori aktual (26.05.2011 - 07.02.2023)


Më 12.12.2016, Asambleja e Aksionerëve ka vendosur zmadhimin e kapitalit të shoqërisë nga 7’700’000’000 ALL në 11’900’000’000 ALL. Numri i aksioneve është rritur nga 77’000 njësi në 119’000 njësi.
Më 19.11.2015, Asambleja e Aksionerëve ka vendosur zmadhimin e kapitalit të shoqërisë nga 5’600’000’000 ALL në 7’700’000’000 ALL. Numri i aksioneve është rritur nga 56’000 njësi në 77’000 njësi.
Më 27.07.2015, Asambleja e Aksionerëve ka vendosur zmadhimin e kapitalit të shoqërisë nga 4’900’000’000 ALL në 5’600’000’000 ALL. Numri i aksioneve është rritur nga 49’000 njësi në 56’000 njësi.
Më 11.11.2014, Asambleja e Aksionerëve ka vendosur zmadhimin e kapitalit të shoqërisë nga 3’500’000’000 ALL në 4’900’000’000 ALL. Numri i aksioneve është rritur nga 35’000 njësi në 49’000 njësi.
Më 26.02.2014 është nënshkruar një marrëveshje pengu në të cilët të gjithë ortakët e shoqërisë konçesionare Ayen AS Energji sha: Fahrettin Amir Arman, AS ENERGY, AYEN ENERJI ANONIM SIRKETI, Ayel Elektrik Uretim Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi (në cilësinë e pengdhnësit) kanë vendosur peng të gjitha aksionet e shoqërisë në favor të Turkiye Is Bankasi A.S. Baskent Kurumsal Ankara Subesi në cilësinë e pengmarrësit.
Më 21.03.2013 Asambleja e Aksionerëve ka vendosur zmadhimin e kapitalit të shoqërisë nga 140’000’000 ALL në 3’500’000’000 ALL. Numri i aksioneve është rritur nga 1400 njësi në 35’000 njësi.
Më 14.07.2011 është shtuar ortaku Fahrettin Amir Arman që zotëron 1 % të kapitalit të shoqërisë konçesionare Ayen AS Energji sha. është shtuar edhe ortaku Ayel Elektrik Uretim Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi duke zotëruar 8 % të kuotave.është pakësuar kapitali i AS Energy nga 18 % në 9 % të kuotave.

Vendndodhja