Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve Rapun 1 dhe 2

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërisë C & S Construction.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve Rapun 1 dhe Rapun 2 në Librazhd. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues). E drejta e pronësisë mbi asetet pronë shtetërore i mbetet Autoritetit Kontraktues. Shoqërisë koncesionare nuk i lejohet të kryejë asnjë lloj tjetër aktiviteti përveç ndërtimit të hidrocentraleve, pra vetëm ato aktivitete që është nënshkruar kjo kontratë.
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë koncesionarin çdo 3 muaj për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe të projektit.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga subjekti i furnizimit të energjisë elektrike përmes një kontrate nëse kjo gjë kërkohet nga koncesionari. Afati i kontratës është 4 vjet dhe ajo mund të rinovohet deri në 4 herë. Çmimi i shitjes  së energjisë do të përcaktohet nga ERE.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e projektit.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin për të lidhur marrëveshje ose kontrata me institucione publike.
Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për detyrimet ligjore dhe kontraktore dhe do të dëmshpërblejë koncesionarin për të gjitha dëmet që mund t’i shkaktojë në rast mospërmbushje të detyrimeve të tij.
Koncesionari duhet të krijojë një shoqëri koncesionare për të nisur punimet brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria e re e krijuar do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet në kontratën e koncesionit.
Koncesionari duhet të zbatojë Kodin e Punës, sigurinë teknike, disiplinën teknike, higjienën, sigurimin nga zjarri dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 39 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari merr përsipër të fillojë punimet  për zbatimin e projektit brenda 30 ditësh nga data e marrjes së lejes së ndërtimit. Aplikimi për pajisjen me leje do të kryhet brenda 30 ditëve nga miratimi i projektit përfundimtar nga Autoriteti Kontraktues.
Totali i investimeve është 6’140’000 euro, nga të cilat 2’225’740 euro do të investohen në makineri dhe pajisje.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 10% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Tarifa koncesionare është 2% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare.
Koncesionari duhet të riinvestojë 40% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve çdo 15 vjet.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: dorëzimi fizik i aseteve, dorëzimi i dokumenteve që shoqërojnë këto asete dhe kalimin e titullit të pronësisë për ndërtesat apo impiantet e ndërtuara nga koncesionari.

Kompania
C & S Construction Energy
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 09.07.2008. Kapitali i saj është 100'000 ALL.
Aksionerët

C & S Construction - 100% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Arjan Çukaj - administratori aktual (09.07.2008 - 16.12.2020)
Ferid Sukaj - administrator (09.07.2008 - 09.07.2013 )


Më 16.01.2015, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Dega Pogradec, ka kërkuar vendosjen e masës së sekuestros ekzekutive mbi aktivitetet e subjektit i cili është debitori për detyrime doganore dhe kamatvonesa.
Më 22.10.2014, Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë ka vendosur të mos lejohet tjetërsimi i titujve të pronësisë deri në shlyerjen e detyrimeve tatimore për C & S Construction Energy shpk. Më 16.10.2017, Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka urdhëruar të hiqet masa e sigurisë.

Vendndodhja