Përditësimi i fundit më 30.01.2021 15:13
Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit
Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.
Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërisë Qeramika e Jugut.Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve Shtika 1, 2, 3, 4 në përroin e Shtikës, rrethi Këlcyrë. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.
Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues).Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.Koncesionari do të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga KESH sha për 15 vitet e para të prodhimit të energjisë elektrike. Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore. Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e hidrocentraleve.Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 48 muajve nga data e hyrjes në fuqi e kontratës.Totali i investimeve është 87’570’000 ALL, nga të cilat 27’600’000 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje.Tarifa koncesionare është 2% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare. Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke filluar nga viti i 25 – të nga hyrja në fuqi e kontratës.Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues. Koncesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij por vetëm pasi të ketë marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues dhe jo për më tepër se 50% të vlerës së investimit.Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate. Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive. Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së koncesionit.
ERPA Invest - 100% e aksioneve.Në Aktin e Themelimit, Qeramika e Jugut zotëronte të gjitha aksionet e shoqërisë.
Më 14.08.2019, është lidhur një marrëveshje siguruese midis barrëdhëniet ERPA Investment dhe barrëmarrësit Intesa SanPaolo Bank mbi 100 % të kuotave të shoqërisë si garanci për kredinë që Intesa SanPaolo Bank i ka dhënë shoqërisë Përparimi SK shpk.Më 06.04.2015, ERPA Investment i ka shitur 100 % të aksioneve të saj Fondit ERPA.Më 28.05.2013, shoqëria Qeramika e Jugut i ka shitur edhe 15 % të aksioneve të saj shoqërisë ERPA Investment. Kështu, ERPA Investment zotëron 100 % të aksioneve.Më 10.10.2011, shoqëria Qeramika e Jugut i ka shitur 85 % të aksioneve të saj shoqërisë ERPA Investment. Kështu Qeramika e Jugut zotëron 15 % të aksioneve nga 100 % që zotëronte më parë.