Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve Thanë dhe Mollas

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe Delia Group shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve Thanë dhe Mollas në rrjedhën e rezervuarit të Thanës, rrethi Lushnjë. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues. Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues).


Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Koncesionarit do të ketë të drejta pronësie mbi objektin ekzistues dhe ai mund ta zgjerojë ose ta shtojë atë.
Autoriteti Kontraktues mund të garantojë blerjen e energjisë elektrike nga koncesionari përmes një kontrate afatgjatë. Në kontratë nuk është specifikuar asnjë kohëzgjatje e tillë.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit. Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë koncesionarin për të marrë sa më shpejt të gjitha lejet dhe licencat për të nisur ndërtimin.
Koncesionari ka të drejtë të nënkontraktojë shërbimet e tij, por jo për më tepër se 50% të vlerës së investimit dhe pa marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari merr përsipër të ndërtojë hidrocentralet brenda 72 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e hidrocentraleve.
Totali i investimeve është 1’042’888’000 ALL, nga të cilat 372’770’000 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje.
Tarifa koncesionare është 2% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Kjo tarifë nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë kohëzgjatjes së koncesionit.
Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke nisur nga viti i 25 – të i hyrjes në fuqi të kësaj kontrate.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive.

Kompania
Delia Energji shpk
Përshkrimi i kompanisë
Shoqëria është krijuar më 03.09.2009, me një kapital themeltar prej 100'000 ALL. Zyra e saj qendrore është në adresën: Rruga Reshit Petrela, Pallati pranë Arshivës së Shtetit, Seksioni 2, Kati 2, Tiranë. Shoqëria është krijuar për të zbatuar kontratën e konçesionit për ndërtimin e hidrocentraleve Dobjot i Madh, Arrëz, Miras, Menkulas, Bracen dhe Kuç.
Aksionerët

Delia Group - 100% të askioneve.

Persona dhe entite të lidhura
Viktor Delia - administratori aktual (25.02.2019 - 25.02.2024)
Agron Deliu - administrator (03.09.2009 - 25.02.2019)

Vendndodhja