Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve Zalli i Qarishtës

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërisë Gener 2.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentralit Gizavesh mbi lumin Zalli i Qarishtës, rrethi i Librazhdit. Do të ndërtohen 4 hidrocentraleve. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues). Shoqërisë koncesionare nuk i lejohet të kryejë asnjë lloj tjetër aktiviteti përveç ndërtimit të hidrocentraleve, pra vetëm ato aktivitete që është nënshkruar kjo kontratë. Për të plotësuar këtë objektiv të kontratës, koncesionari duhet të kryejë veprimet si më poshtë:
• Të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të ketë në pronësi, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.
• Të ketë gëzim të qetë të sheshit ku do të zhvillojë punimet.
• Kur periudha e koncesionit përfundon, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit Kontraktues përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentraleve dhe të objekteve të shtuara.
• Koncesionari duhet të ketë të drejtën ekskluzive ndaj çdo atributi mjedisor që mund të ketë nga projekti.
• Autoriteti Kontraktues do të mbështesë çdo aplikim që mund të dorëzohet nga koncesionari tek autoritetet përkatëse në lidhje me Mekanizmat e Zhvillimit të Pastërtisë (Clean Development Mechanism).
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë asnjë shpenzim dhe nuk duhet të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim që mund të ketë koncesionari në lidhje me gjendjen e sheshit. Nëse koncesionari gjykon që duhet të shpronësohet edhe trualli privat në mënyrë që të arrihet objektivi i kontratës, atëherë koncesionari do t’i dorëzojë Autoritetit Kontraktues të gjithë dokumentet përkatëse. Autoriteti Kontraktues do të nisë procedurat e shpronësimit. Të gjitha kostot e shpronësimit do të përballohen nga koncesionari.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë koncesionarin për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe të projektit.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e projektit.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin për të lidhur marrëveshje ose kontrata me institucione publike.
Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për detyrimet ligjore dhe kontraktore dhe do të dëmshpërblejë koncesionarin për të gjitha dëmet që mund t’i shkaktojë në rast mospërmbushje të detyrimeve të tij.
Autoriteti Kontraktues nuk ka të drejtë që të kryejë veprime që ndikojnë në pakësimin, ndryshimin apo derivimin e prurjeve të ujit. Nëse ndodhin këto rrethana, atëherë Autoriteti Kontraktues duhet të marrë të gjitha masat për t’i riparuar këto dëme.
Koncesionari duhet të krijojë një shoqëri koncesionare për të nisur punimet brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria e re e krijuar do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet në kontratën e koncesionit.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës, sigurinë teknike, disiplinën teknike, higjienën, sigurimin nga zjarri dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari nuk duhet të ndërhyjë në burimet ujore që furnizojnë ujësjellësin e zonës dhe të sigurojë ujin e nevojshëm për vaditje për nevojat e bujqësisë.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet 1, 2, 3 dhe 4 përkatësisht brenda 15, 15, 15 dhe 14 muajve nga data e marrjes së lejes. Afati për t’u pajisur me leje është brenda 24 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari do të nisë punimet brenda 30 ditësh nga marrja e lejes së ndërtimit.  Aplikimi për pajisjen me leje do të kryhet brenda 30 ditëve nga miratimi i projektit përfundimtar nga Autoriteti Kontraktues.
Totali i investimeve është 5’273’943’244 ALL, nga të cilat 2’778’750’000 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 10% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Tarifa koncesionare është 5% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare. Tarifa duhet të merret në dorëzim nga KESH ose OST.
Koncesionari duhet të riinvestojë 80% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve çdo 15 vjet.
Koncesionari do të kontrollojë shoqërinë koncesionare. Çdo ortak ka të drejtë të transferojë lirisht, pjesërisht ose tërësisht kuotat e shoqërisë kundrejt një ortaku tjetër ose filiali të tij. Çdo transferim tjetër i kuotave të shoqërisë, i pjesshëm ose i plotë, dhe që ndryshon edhe kontrollin e shoqërisë duhet të kryhet vetëm me miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues. Autoriteti Kontraktues duhet të marrë në konsideratë përvojën, gjendjen financiare, stabilitetin dhe reputacionin e ortakëve që blejnë ose kontrollojnë aksionet e shoqërinë.
Koncesionari nuk mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij për një vlerë më të lartë se 50% të vlerës së investimit pa marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive. Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së koncesionit.

Kompania
Gizavesh Energy Albania
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 13.09.2013. Kapitali i saj është 100'000 ALL.
Aksionerët

Gener 2 - 100% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Vera Feri - administratori aktual (13.09.2013 - 13.09.2023)

Vendndodhja