Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Zalli i Okshtunit

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërive 2T shpk, Perxhola shpk, Albadi shpk, Me-Aj shpk, Mix Tecnic shpk dhe UDSA (Union Distribution Service Albania)shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve në lumin Zalli i Okshtunit, rrethi Bulqizë. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues). Shoqërisë koncesionare nuk i lejohet të kryejë asnjë lloj tjetër aktiviteti përveç ndërtimit të hidrocentraleve, pra vetëm ato aktivitete që është nënshkruar kjo kontratë. Për të plotësuar këtë objektiv të kontratës, koncesionari duhet të kryejë veprimet si më poshtë:
• Të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të ketë në pronësi, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.
• Të zgjerojë e të shtojë objektet ekzistuese, të ketë në pronësi objektet ekzistuese të zgjeruara e të shtuara.
• Të ketë gëzim të qetë të sheshit ku do të zhvillojë punimet.
• Kur periudha e koncesionit përfundon, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit Kontraktues përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentraleve dhe të objekteve të shtuara.
• Koncesionari duhet të ketë të drejtën ekskluzive ndaj çdo atributi mjedisor që mund të ketë nga projekti duke përfshirë, por duke mos u kufizuar në certifikatat CER sipas Mekanizmit të Zhvillimit të Pastërtisë të përcaktuara në Protokollin e Kiotos.
• Autoriteti Kontraktues do të mbështesë çdo aplikim që mund të dorëzohet nga koncesionarit tek autoritetet përkatëse në lidhje me Mekanizmat e Zhvillimit të Pastërtisë dhe në lidhje me marrjen e miratimit nga Ministria e Mjedisit.
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë asnjë shpenzim dhe nuk duhet të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim që mund të ketë koncesionari në lidhje me gjendjen e sheshit. Nëse për dhënien e sheshit është e nevojshme edhe shpronësimi i truallit që është pronë private, atëherë koncesionari do t’i paraqesë Autoritetit Kontraktues të gjitha dokumentet dhe informacionet për procedurën e shpronësimit. Autoriteti Kontraktues mund të miratojë propozimet për shpronësim, por të gjitha kostot do të mbulohen nga koncesionari.
Koncesionari do të zbatojë projektin për ndërtimin e kaskadës së hidrocentraleve në lumin Zalli i Okshtunit me fuqi totale jo më pak se 30’650 kë. Koncesionari do të ndërtojë me shpenzimet e tij linjën e transmetimit që do të lidhë hidrocentralet me rrjetin e OST – së. Pas përfundimit të punimeve, linjat e transmetimit do të jenë në pronësi të OST – së që nga momenti i transferimit të pronësisë.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë koncesionarin çdo 3 muaj për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe të projektit.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga subjekti i furnizimit të energjisë elektrike në mënyrë të plotë ose të pjesshme përmes një marrëveshjeje afatgjatë për shitjen e energjisë nëse kjo gjë kërkohet nga koncesionari.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e hidrocentraleve.
Koncesionari duhet të krijojë një shoqëri koncesionare për të nisur punimet brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria e re e krijuar do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet në kontratën e koncesionit.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari e pranon sheshin ku do të operojë ashtu siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë ndonjë shpenzim mbi të dhe nuk do të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim ndaj koncesionarit në lidhje me gjendjen e sheshit.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 84 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës.
Totali i investimeve është 4’443’351’400 ALL dhe me një kosto prej 36’100 ALL/ kë do të investohen në makineri dhe pajisje për kë fuqi të instaluar.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësoje pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 7% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Tarifa koncesionare është 2% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare.
Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke filluar nga viti i 25 – të nga hyrja në fuqi e kësaj kontrate.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues. Nëse kuotat/ askionet do të transferohen nga njëri ortak tek tjetri, pa pasur transferim të kontrollit të shoqërisë, atëherë nuk është i nevojshëm miratimi i Autoritetit.
Koncesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij por vetëm pasi të ketë marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues dhe për një vlerë jo më tepër se 50% të vlerës së kontratës. Miratimi i Autoritetit Kontraktues nuk do të jetë i nevojshëm nëse nënkontraktori është një subjekt i njohur në nivel ndërkombëtar dhe nëse vlera e shërbimit është më pak se 500’000 euro.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive. Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së koncesionit.
Më 28 qershor 2012 është kryer një amendim i kësaj kontrate në lidhje me afatet e ndërtimit të hidrocentralit. Sipas amendimit, koncesionari do ta vë në punë hidrocentralin brenda 108 muajve nga data e hyrjes në fuqi të kontratës, ndërsa afati për pajisjen me leje është jo më tepër se 24 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kontratës.

Kompania
Diteko
Përshkrimi i kompanisë
Shoqëria është krijuar posaçërisht për të ngritur hidrocentralin sipas kontratës së konçesionit. Ajo është themeluar më 07.09.2009. Kapitali i saj është 377'766'000 ALL.
Aksionerët

Gjoka Konstruksion - 50% të aksioneve
ME-AJ Energy - 35% të aksioneve
Perxhola - 5% të aksioneve
2 T - 10% të aksioneve


Në Aktin e Themelimit, bashkëthemelues janë ortakët: Perxhola shpk (30% të aksioneve), 2T shpk (15% të aksioneve), Mix Tecnic shpk (10% të aksioneve), Union Distribucion Servis Albania shpk (10% të aksioneve), Albadi shpk (15% të aksioneve), ME-AJ Energy shpk (20% të aksioneve).

Persona dhe entite të lidhura
Shkëlqim Golli - administratori aktual (07.09.2009 - 14.10.2024)


Më 29.03.2017 është nënshkruar marrëveshja siguruese Nr. 1350 Rep dhe 316 kol datë 03.03.2017 midis kredidhënësit/barrëmarrësit Banka Kombëtare Tregtare dhe kredimarresit shoqëria Diteko shpk. Barrëdhënësit janë ortakët e shoqërisë Diteko dhe përkatësisht: shoqëria
Gjoka Konstruksion sh.a, shoqëria ME-TAJ Energy sh.p.k, shoqëria Perxhola sh.p.k dhe shoqëria 2T sh.p.k. Të gjitha shoqëritë e sipërpërmendura kanë vendosur barrë në favor të
kolateralmarrësit shoqërisë Diteko shpk me qëllim sigurimin e të githa detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e kredisë bankare Nr. 3537 Rep dhe Nr. 909 kol datë 11.07.2014, kontrata e kredisë Nr. 5697 Rep dhe 1096 Kol datë 07.10.2015 dhe kontrata e kredisë Nr. 1347 Rep dhe 313 Kol datë 03.03.2017 të lidhura me Bankën Kombëtare Tregtare.
Më 07.10.2015 është vendosur marrëveshja e pengut në favor të Bankës Kombëtare Tregtare mbi 100 % të kuotave të Diteko shpk si garanci për kredinë që shoqëria Diteko ka marrë nga kjo bankë.
Më 26.11.2013 është shtuar ortaku Gjoka Konstruksion duke blerë 50 % të aksioneve. Gjoka Konstruksion ka blerë 40 % të aksioneve të Perxhola dhe 10 % të aksioneve të 2T.
Më 31.05.2013 është larguar ortaku Albadi. është rritur kapitali për ME-AJ Energy nga 20 % në 35 % të aksioneve.
Më 05.11.2010 është larguar ortaku Mix Tecnic. është rritur kapitali për Perxhola nga 35 % në 45 % të aksioneve.
Më 07.10.2009 është larguar ortaku Union Distribucion Servis Albania. është rritur kapitali për 2T nga 15 % të aksioneve në 20 % të aksioneve dhe për Perxhola nga 30 % në 35 % të aksioneve.

Vendndodhja