Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin e Treskës

Kontrata konçesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërisë Istria Sviluppo srl.


Objekti: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve në lumin e Treskës, rrethi Ersekë, qarku Korçë . Në fund të periudhës konçesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues. Kontrata ëshë e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së konçesionit tek Autoritetit Kontraktues). Në këtë lum ekzistojën 4 hidrocentrale. Konçesionari duhet të respektojë kuotat e 2 hidrocentraleve ekzistuese Treska 1 dhe Treska 2 duke mos cënuar shfrytëzimin hidroenergjitike të tyre.
Konçesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Konçesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së konçesionit, konçesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Konçesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është. Nëse për përdorimin e sheshit do të jetë e nevojshme shpronësimi i truallit që konsiderohet pronë private, konçesionari duhet t’ia paraqesë këtë pretendim përmes dokumenteve të sakta Autoritetit Kontraktues. Autoriteti Kontraktues mund të miratojë këtë pretendim të konçesionarit në lidhje me shpronësimin e pronës private, por të gjitha procedurat dhe kostot e shpronësimit duhet t’i mbulojë vetë konçesionari.
Konçesionari do të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.
Kohëzgjatja e konçesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga KESH sha për 15 vitet e para të prodhimit të energjisë elektrike.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që konçesionari të sigurojë të gjitha lejet, liçensat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e konçesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë konçesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e hidrocentraleve.
Konçesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës dhe duhet të mbulojë të gjtiha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Konçesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Konçesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 8 muajve nga marrja e lejeve të ndërtimit. Pajisja me lejet e nevojshme duhet të jetë të shumtën 12 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kontratës
Totali i investimeve është 656’545’309 ALL, nga të cilat 222’088’759 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje.
Tarifa konçesionare është 5 % e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën konçesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës konçesionare.
Konçesionari duhet të riinvestojë 60 % të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke filluar nga viti i 25 – të nga hyrja në fuqi e kontratës.
Konçesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Konçesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij por vetëm pasi të ketë marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues dhe jo për më tepër se 50 % të vlerës së investimit. Nuk është i nevojshëm miratimi paraprak nga ana e Autoritetit Kontraktues nëse nënkontraktori është një subjekt i mirënjohur në nivel ndërkombëtar dhe nëse është në gjendje të mirë financiare.
Konçesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës, Konçesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive. Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së konçesionit.

Kompania
HEC Treska
Përshkrimi i kompanisë
Shoqëria është krijuar posaçërisht për të ngritur hidrocentralin sipas kontratës së konçesionit. Ajo është themeluar më 21.11.2012. Kapitali i saj është 92'400'000 lek.
Aksionerët

Shamo - Construction - zotëron 100 % të aksioneve të HEC Treska.

Persona dhe entite të lidhura
Enkeleida Shamo - administratori aktual (05.12.2012 - 28.04.2025)
Emiljano Biraku - administratori (21.11.2012 - 05.12.2012)
Më 27.11.2012, ortaku Istria Sviluppo është larguar duke i shitur të gjitha aksionet e tij shoqërisë Shamo – Construction. Shamo – Construction zotëron 100 % të aksioneve.

Vendndodhja