Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentralit Ashta

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërisë Österreichische Elektrizitätsëirtschafts - Aktiengesellschaft.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentralit Ashta. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues). Për të plotësuar këtë objektiv të kontratës, koncesionari duhet të kryejë veprimet si më poshtë:
• Të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të ketë në pronësi, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.
• Të zgjerojë e të shtojë objektet ekzistuese dhe t’i mirëmbajë ato.
• Të ketë gëzim të qetë të sheshit ku do të zhvillojë punimet.
• Të furnizojë KESH – in me prodhimin neto të përkohshëm të energjisë elektrike.
• Kur periudha e koncesionit përfundon, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit Kontraktues përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentraleve dhe të objekteve të shtuara.
• Koncesionari duhet të ketë të drejtën ekskluzive ndaj çdo atributi mjedisor që mund të ketë nga projekti.
Koncesionari do të kryejë punimet e mirëmbajtjes së hidrocentralit.
Pas datës së hyrjes në fuqi të kontratës, do të kryhet një inspektim i përbashkët nga koncesionari dhe Autoriteti Kontraktues për të verifikuar defektet në objektin ekzistues. Të gjitha kostot e inspektimit do të mbulohen nga koncesionari. Nëse vërtetohen se ka dëmtime ose defekte, atëherë Autoriteti Kontraktues do të garantojë  riparimin e tyre dhe do të dëmshpërblejë koncesionarin.
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë asnjë shpenzim dhe nuk duhet të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim që mund të ketë koncesionari në lidhje me gjendjen e sheshit. Por, Autoriteti Kontraktues do të jetë përgjegjës për koston e pastrimit nga ndonjë ndotje mjedisore e mëparshme që mund të ndikojë në realizimin e projektit ose do të zhdëmtojë koncesionarin në lidhje me ndonjë pretendim, humbje, dëm ose kosto që mund të pësojë koncesionari si rrjedhojë e pranisë së kësaj ndotjeje.
Nëse në një periudhë të caktuar, për shkak të kushteve meteorologjike nuk ndodh niveli i duhur i shirave që do të bënin të mundur prodhimin e energjisë elektrike, atëherë Autoriteti Kontraktues do të dëmshpërblejë koncesionarin për rritjen e kostove ose fitimet e munguara.
Autoriteti Kontraktues do të mbështesë çdo aplikim për Mekanizmin e Zhvillimit të Pastrimit që mund të paraqitet nga koncesionari tek autoritetet përkatëse, veçanërisht tek Ministria e Mjedisit.
Brenda 2 muajve nga data e hyrjes në fuqi të kontratës, koncesionari do të fillojë procesin e shpronësimit në lidhje me parcelat që do të jenë të nevojshme për zbatimin e projektit. Autoriteti Kontraktues do të miratojë këto shpronësime dhe do të ndjekë procedurën përkatëse. Të gjitha kostot e shpronësimeve do të mbulohen nga koncesionari.
Brenda 120 ditësh pas hyrjes në fuqi të kontratës, Autoriteti Kontraktues dhe koncesionari do të lidhin një marrëveshje uzufrukti mbi sheshin dhe objektet ekzistuese në favor të koncesionarit dhe pa pagesë. Koncesionari do të regjistrojë uzufruktin mbi sheshin dhe objektet ekzistuese.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat. Shpenzimet do të mbulohen nga koncesionari.
Koncesionari do të jetë përgjegjës më çdo të metë në projektin e hidrocentralit dhe të projekt – idesë. Koncesionari do të krijojë Sistemin e Garantimit të Cilësisë, të cilën Autoritetit Kontraktues ka të drejtën që ta inspektojë. Autoriteti Kontraktues ka të drejtën që të inspektojë dhe të monitorojë ecurinë e ndërtimeve, por me kusht që monitorimet të mos pengojnë vazhdimin e punimeve. Të gjitha kostot e monitorimeve do të mbulohen nga Autoriteti Kontraktues përveç rasteve kur zbulohen defekte në materiale, ndërtime, pajisje dhe makineri.
Koncesionari do të parandalojë ose të kontrollojë çdo ndotje mjedisore, do të marrë masat e sigurisë në lidhje me sheshin.
Koncesionari do të garantojë kontratën e cila do të garantojë përmbushjen e detyrimeve nga ana e koncesionarit. Gjithashtu, koncesionari do të nënshkruajë garancitë e shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes, si dhe garancitë e dorëzimit të objektit. Koncesionari do të sigurojë të gjithë punimet, ndërtimet dhe pajisjet.
Koncesionari do të marrë vetë masat për furnizimin me ujë, trajtimin e ujërave të zeza dhe furnizimin me energji elektrike dhe do të përballojë të gjitha kostot që lidhen me to.
Tarifa koncesionare është 2% e prodhimit vjetor neto të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia japë pa pagesë Autoritetit Kontraktues. Prodhimi neto i energjisë elektrike do të grumbullohet nga KESH ose OST në emër të Autoritetit Kontraktues.
Tarifa e përdorimit të ujit është përfshirë në tarifën koncesionare dhe nuk paguhet e më vete nga koncesionari.
Tarifa e  suksesit është pagesa që koncesionari duhet t’i paguajë IFC në shumën 1’100’000 USD pa taksa, tarifa, tatime, detyrime ose pagesa të tjera të mbajtura.
Periudha nga nisja e fazës së ndërtimit deri në datën e përfundimit të punimeve nuk do të jetë më shumë se 40 muaj.
Çdo aksioner ose zotërues kuote në shoqërinë koncesionare mund të transferojnë aksionet/ kuotat lirisht vetëm nëse nuk do të ndikojnë në ndryshimin e kontrollit të shoqërisë koncesionare dhe vetëm pasi të kenë marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues. Në lidhje me transferimin e kontrollit të shoqërisë, Autoriteti Kontaktues do të marrë në konsideratë eksperiencën, gjendjen financiare, stabilitetin dhe reputacionin e subjektit që do të kontrollojë shoqërinë.
Pa marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues, Koncesionari nuk do të angazhohet në asnjë biznes apo projekt tjetër përveç projektit të ndërtimit të hidrocentralit.
Koncesionari nuk do të delegojë ose transferojë të drejtat ose detyrimet e tij pa miratimin paraprak me shkrim të Autoritetit Kontraktues. Koncesionari ka të drejtë të vendosë barrë mbi të drejtat e tij dhe interesat e tij në bazë të kësaj kontrate ose mbi projektin në dobi të palëve financuese.
Koncesionari dhe shoqëria koncesionare do të jenë përgjegjës bashkërisht dhe individualisht për të gjitha të drejtat dhe detyrimet sipas kësaj kontrate.
Koncesionari do të zhdëmtojë Autoritetin për çdo dëm që mund t’i jetë shkaktuar këtij të fundit nga neglizhenca e tij dhe anasjelltas. Përgjegjësia e përbashkët e koncesionarit dhe shoqërisë koncesionare për çdo pretendim do të kufizohet në shumën 50 milionë euro.
Koncesionari ka të drejtë të lidhë kontrata me nënkontraktorë, por duhet të marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues. Megjithatë, miratimi i Autoritetit Kontraktues nuk do të nevojitet nëse nënkontraktori është një kompani ndërkombëtare me reputacion të mirë dhe nëse nënkontraktori angazhohet për një shumë më të ulët se 300’000 euro.
Në 6 muajt e fundit të periudhës koncesionare, koncesionari do të nisë të dorëzojë sa më poshtë:
• Hidrocentralin dhe objektet ekzistuese, të cilat duhet të jenë në gjendje të mirë dhe funksionale.
• Të drejtat koncesionare.
• Lëndët e para, pjesët e konsumueshme, pjesët e këmbimit.
• Prona personale e trupëzuar.
• Të drejtat e pronësisë intelektuale.
• Të gjithë ndërtimet dhe pjesët e lidhura pazgjidhshmërisht me to.
• Librat dhe dokumentet të kompjuterizuara ose jo, raportet, të dhënat, dosjet dhe informacionet, vizatimet, rezultatet e testeve, dokumentet.
• Të gjitha garancitë e pajisjeve, materialeve dhe punimeve.
• Të drejtat kontraktore si qeratë dhe policat e sigurimit.
• Punimet në proces.
Në vitin 2016, është nënshkruar një shtesë e kësaj marrëveshjeje midis Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe Verbund AG dhe Energji Ashta shpk. Sipas kësaj shtese të kontratës, entiteti publik ndaj të cilit koncesionari do të shesë energji elektrike nuk do të jetë më KESH, por OSHEE. Nëse gjatë kohëzgjatjes së kontratës së shitjes së energjisë, e drejta për të zgjedhur shumicën në këshillin drejtues të OSHEE – së dhe për të përcaktuar politikat e saj i kalon një palë tjetër të tretë, që nuk është entitet shtetëror, atëherë koncesionari i kërkon me shkrim Autoritetit që kjo e drejtë t’i kalojë një entiteti publik që të ketë të njëjtën besueshmëri financiare si OSHEE.

Kompania
Energji Ashta
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 11.12.2008. Kapitali i saj është 12'460'176'500 ALL.
Aksionerët

Ashta Beteiligungsverëaltung GmbH - 100% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Peter Stelzer - administratori aktual (27.08.2010 - 11.12.2023)
Dietmar Reiner - administratori aktual (11.12.2008 - 11.12.2023)


Më 06.11.2011 janë larguar ortakët VERBUND Hydro Power AG dhe EVN AG të cilët i kanë transferuar kuotat e tyre tek ortaku i ri dhe i vetëm Ashta Beteiligungsverwaltung GmbH.
Më 17.12.2010, VERBUND-International Gmbh i ka shitur kuotat e saj shoqërisë VERBUND Hydro Poëer AG. Kështu, është shtuar ortaku VERBUND Hydro Power AG dhe është larguar VERBUND-International Gmbh.
Më 11.10.2010 është shtuar ortaku EVN AG i cili zotëron 50% të kuotave. është pakësuar kapitali për ortakun VERBUND-International nga 100% në 50% të kuotave.

Vendndodhja