Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentralit Pobreg

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërive Frigo Food Energy Invest sha, Frigo Food shpk, Agikons shpk dhe Trans Plus shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentralit Pobreg në rrjedhën e lumit Luma, rrethi Kukës. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues).
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike që prodhohet nga koncesionari përmes një kontrate afatgjatë (nëse ky i fundit e kërkon diçka të tillë).
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e hidrocentraleve.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta.
Koncesionari ka të drejtë të nënkontraktojë shërbimet e tij, por ai duhet të marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues dhe jo për më shumë se 50% të vlerës së investimit.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e kontratës.
Totali i investimeve është 995’034’550 ALL, nga të cilat 280’000’000 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje.
Tarifa koncesionare është 2% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare.
Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke nisur nga viti i 25 – të i hyrjes në fuqi të kontratës.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues. Koncesionari mund të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet dhe mund të lidhë çdo marrëveshje financuese me palë të treta vetëm për aq sa këto veprime shërbejnë për ndërtimin e hidrocentraleve.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive.

Kompania
ENERGY PLUS
Përshkrimi i kompanisë
Shoqëria është krijuar më 25.07.2009, me një kapital themeltar prej 1'000'000 ALL. Shoqëria është krijuar posaçërisht për të zbatuar kontratën konçesionare. Zyra e saj qendrore është në adresën: Rruga e Elbasanit, vila nr. 71, Tiranë.
Aksionerët

Agikons - 50% të askioneve
Energy Development Group - 50% të askioneve


Në Aktin e Themelimit, ortakët ishin: Frigo Food shpk (30% të aksioneve), Frigo Food Energy Invest sha (50% të aksioneve), Trans Plus shpk (10% të aksioneve) dhe Agikons shpk (10% të aksioneve).

Persona dhe entite të lidhura
Sokol Meqemeja - administratori aktual (25.07.2009 - 24.07.2020)


Më 30.09.2013, Energy Development Group i ka shitur 10% të aksioneve të saj Agikonsit. Tashmë, të dyja shoqëritë kanë 50% të aksioneve.
Më 02.03.2010 janë larguar ortakët Frigo Food shpk dhe Trans Plus shpk. Pesha e aksioneve të Agikons u rrit nga 10% në 40% të aksioneve; ndërsa pesha e aksioneve të Energy Development Group u rrit nga 50% në 60% të kapitalit.

Vendndodhja