Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentralit Ujanik 2

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërive Gramozi Ndërtim Projektin shpk dhe Ujanik 2 shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentralit Ujanik 2 në rrjedhën e përrenjve të Ujanikut, rrethi Skrapar. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues).
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e hidrocentraleve.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 36 muajve nga marrja e lejeve të ndërtimit. Pajisja me lejet e nevojshme duhet të jetë të shumtën 12 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kontratës.
Totali i investimeve është 134’550’000 ALL, nga të cilat 65’550’000 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje.
Tarifa koncesionare është 2% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare.
Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke filluar nga viti i 25 – të nga hyrja në fuqi e kontratës.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij por vetëm pasi të ketë marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues dhe jo për më tepër se 50% të vlerës së investimit.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive. Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së koncesionit.

Kompania
HP Ujaniku Energy
Përshkrimi i kompanisë
Shoqëria është krijuar posaçërisht për të ngritur hidrocentralin sipas kontratës së konçesionit. Objekti i veprimtarisë së shoqërisë është: ndërtimi, operimi dhe transferimi i Hidrocentralit "Ujanik II" tek Autoriteti Kontraktues, ku përfshihet financimi, ndërtimi, vënia në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, eksportimi dhe shitja e energjisë elektrike. Ajo është themeluar më 08.09.2011. Kapitali i saj është 100'000 ALL.
Aksionerët

Ujaniku 2 - 100% të aksioneve
Sipas Aktit të Themelimit, shoqëria është krijuar nga Gramozi Ndërtim Projektim shpk  dhe Ujaniku 2 shpk.

Persona dhe entite të lidhura
Bujar Çeta - administratori aktual (25.01.2016 - 25.01.2021)
Emmanouil Mavrogiannakis - administrator (19.03.2014 - 25.01.2016)
Bujar Çeta - administrator (12.11.2013 - 19.03.2014)
Kristaq Bica - adminitrator (15.05.2012 - 12.11.2013)


Më 12.06.2015, shoqëria HP Ujaniku Energy shpk ka marrë hua nga Banka Kombëtare Tregtare me një vlerë prej 140’000’000 ALL. Për këtë, shoqëria ka nënshkruar një marrëveshje pengu mbi 100 % të kuotave të shoqërisë ku Banka Kombëtare Tregtare shërben si kolateralmarrës, ndërsa shoqëria HP Ujaniku Energy shpk shërben si kolateraldhënës.
Më 02.03.2012, ortaku Gramozi Ndërtim Projektim shpk është larguar nga shoqëria duke i shitur aksionet e saj shoqërisë Ujaniku II shpk. Tashmë, Ujaniku II shpk zotëron 100 % të aksioneve nga 51 % që zotëronte më parë.

Vendndodhja