Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Shalë

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërive Interenergo Albania shpk, Poteza Skupina dd dhe SGP Pomgrad dd.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve Dukagjin 1, 2 dhe 3 në lumin e Shalës. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues). Shoqërisë koncesionare nuk i lejohet të kryejë asnjë lloj tjetër aktiviteti përveç ndërtimit të hidrocentraleve, pra vetëm ato aktivitete që është nënshkruar kjo kontratë. Për të plotësuar këtë objektiv të kontratës, koncesionari duhet të kryejë veprimet si më poshtë:
• Të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të ketë në pronësi, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.
• Të zgjeroj dhe shtojë objektet ekzistuese, të ketë në pronësi pjesët e objekteve ekzistuese të zgjeruara a të shtuara dhe të bëjë të mundur veçimin e këtyre pjesëve.
• Të ketë gëzim të qetë të sheshit ku do të zhvillojë punimet.
• Kur periudha e koncesionit përfundon, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit Kontraktues përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentraleve dhe të objekteve të shtuara.
• Koncesionari duhet të ketë të drejtën ekskluzive ndaj çdo atributi mjedisor që mund të ketë nga projekti.
• Autoriteti Kontraktues do të mbështesë çdo aplikim që mund të dorëzohet nga koncesionari tek autoritetet përkatëse në lidhje me Mekanizmat e Zhvillimit të Pastërtisë (Clean Development Mechanism) dhe veçanërisht me marrjen e miratimit nga Ministria e Mjedisit.
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë asnjë shpenzim dhe nuk duhet të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim që mund të ketë koncesionari në lidhje me gjendjen e sheshit. Nëse koncesionari gjykon se i nevojitet edhe truall që është pronë private për të përmbushur detyrimet e saj, ai duhet t’i paraqesë të gjithë dokumentet pranë Autoriteti Kontraktues. Pasi ka marrë dokumentet,  Autoriteti Kontraktues duhet të nisë procedurat e shpronësimit. Kostot e procedurave të shpronësimit do të mbulohen nga koncesionari.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë koncesionarin çdo 3 muaj për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe të projektit.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga subjekti i furnizimit të energjisë elektrike përmes një kontrate afatgjatë  që nuk i kalon 15 vitet, nëse kjo gjë kërkohet nga koncesionari.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e projektit.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin për të lidhur marrëveshje ose kontrata me institucione publike.
Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për detyrimet ligjore dhe kontraktore dhe do të dëmshpërblejë koncesionarin për të gjitha dëmet që mund t’i shkaktojë në rast mospërmbushje të detyrimeve të tij.
Koncesionari duhet të krijojë një shoqëri koncesionare për të nisur punimet brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria e re e krijuar do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet në kontratën e koncesionit.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës, sigurinë teknike, disiplinën teknike, higjienën, sigurimin nga zjarri dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari nuk duhet të ndërhyjë në burimet ujore që furnizojnë ujësjellësin e zonës dhe të sigurojë ujin e nevojshëm për vaditje për nevojat e bujqësisë.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 28 muajve sipas grafikut të punimeve. Periudha prej 28 muajsh do të nisë nga data e marrjes së lejeve të ndërtimit.
Totali i investimeve është 144’606’305 euro, nga të cilat 64’110’487 euro do të investohen në makineri dhe pajisje.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 5% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Tarifa koncesionare është 7% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare. Tarifa e përdorimit të ujit do të jetë e përfshirë në tarifën koncesionare. Çdo rritje ose rivendosje e mëvonshme e tarifës së ujit nuk do t’i japë të drejtë Autoritetit Kontraktues për një rritje korresponduese të tarifës së koncesionit ose anasjelltas. Tarifa koncesionare do të merret në dorëzim nga KESH ose OST.
Koncesionari duhet të riinvestojë 100% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke nisur nga viti i 15 – të deri në përfundim të periudhës koncesionare.
Koncesionari do të kontrollojë shoqërinë koncesionare. Çdo ortak (duke përfshirë edhe koncesionarin) do të ketë të drejtë të transferojë lirisht pjesërisht ose tërësisht kuotat e shoqërisë kundrejt një ortaku tjetër ose ndonjë prej filialeve të tij, por ky transferim nuk duhet të shkaktojë edhe transferim të kontrollit të shoqërisë koncesionare. Çdo transferim i kuotave (i pjesshëm apo i plotë), duke përfshirë edhe kontrollin, duhet të miratohet nga Autoriteti Kontraktues.
Koncesionari nuk mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij për një vlerë më të lartë se 500’000 euro të vlerës së investimit pa marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues. Miratimi i Autoritetit Kontraktues nuk është i nevojshëm nëse nënkontraktori është një subjekt i njohur në nivel ndërkombëtar me reputacion të lartë. Koncesionari është përgjegjës përpara Autoritetit Kontraktues individualisht dhe solidarisht me nënkontraktuesin për përmbushjen e detyrimeve nga ana e nënkontraktuesit.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive. Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së koncesionit.

Kompania
Shala Energy
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 16.09.2009. Kapitali i saj është 133'590 ALL.
Aksionerët

3 Power Energy Group INC - 4% të kuotave
Internergo Albania - 25% të kuotave
Falak Properties - 71% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Ibrahim Elfaki - administratori aktual (04.11.2014 - 04.11.2020)
Mohammed Haneefa Shereef Rehuman - administratori aktual (14.07.2015 - 14.07.2018)
Joze Bajuk - administratori aktual (09.10.2014 - 04.11.2017)
Eleonora Hasani - administratori aktual (04.11.2014 - 04.11.2017)
Ekrem Lluka - administrator (16.09.2009 - 09.10.2014)
Anton Papez - administrator (16.09.2009 - 04.11.2014)

Vendndodhja