Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Kontrolli i instrumenteve matëse nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm

Kontrata është nënshkruar midis Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe shoqërisë Noa Control shpk dhe shoqërisë koncesionare Noa Inspect shpk.
Objekti i kontratës është:  koncesionari duhet të kryejë kontrollin ligjor të instrumenteve matës përmes verifikimit të instrumenteve të shpërndarjes së karburantit dhe gazit të lëngshëm në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Koncesionari ka të drejtat ekskluzive për të kryer këtë shërbim dhe as Autoriteti Kontraktues dhe as ndonjë institucion tjetër publik nuk ka të drejtë të autorizojë, licencojë ose të lidhë marrëdhënie për të njëjtat shërbime me ndonjë subjekt tjetër ekonomik.


Koncesionari do të themelojë shoqërinë koncesionare për të përmbushur objektin dhe detyrimet e kësaj kontrate.
Autoriteti Kontraktues do të asistojë koncesionarin për të marrë akreditimet, lejet dhe licencat e nevojshme për të kryer veprimtarinë e tij në raport me entitete shtetërore që varen nga vetë Autoriteti Kontraktues ose me entitete të tjera publike.
Shërbimi i kontrollit ligjor të instrumenteve matës përmes verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm do të përfshijë verifikimin fillestar, verifikime pasardhëse (verifikimi periodik të detyrueshëm të një instrumenti matës, verifikim jashtë radhe dhe verifikim pas riparimit) dhe verifikimi pa tarifë jashtë frekuencës së zakonshme.
Kohëzgjatja e kontratës është 20 vjet.
Brenda 45 ditësh kalendarike nga hyrja në fuqi e kontratës, Autoriteti Kontraktues do t’i dorëzojë koncesionarit bazën e të dhënave kombëtare për të gjitha verifikimet e kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë në 12 muajt e fundit para firmosjes së kësaj kontrate. Pas kësaj, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë do t’i dorëzojë verifikimet e kryera çdo 14 ditë para se të nisë shërbimi nga koncesionari. Databazat do të përmbajnë të dhënat ligjore te subjekteve të verifikuar (emri i subjekti, NIPT, adresa), të dhënat teknike (numri i distributorëve, llojet e distributorëve sipas karburantit), tipet e verifikimeve të kryera, datat e verifikimit, rezultatet dhe kopjet e fletëve të punës.
Koncesionari duhet të realizojë dizenjimin e plotë të projektit brenda 90 ditëve nga data e hyrjes së fuqi.
Në fazën e zbatimit të projektit, detyrat e koncesionarit janë sa më poshtë:
1. Koncesionari do të kryejë investimet e nevojshme për të përmbushur projektin.
2. Shërbimi i kontrollit ligjor të instrumenteve matës përmes verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm është në përputhje me ofertën teknike, me kërkesat dhe kriteret në dokumentet e tenderit.
3. Koncesionari do të përditësojë sistemin online .
4. Koncesionari do të marrë masa për trajnimin e përshtatshëm të personelit të tij.
5. Koncesionari do të përdorë teknologjinë e përcaktuar në ofertën teknike.
Koncesionari do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen e pajisjeve në kushte të mira operuese. Ai mund të kryejë edhe modifikime tek pajisjet, por pa ndikuar negativisht në operimin e tyre. koncesionari do të gëzojë pronësinë mbi pajisjet gjatë gjithë periudhës koncesionari. Autoriteti Kontraktues nuk do të ngrejë asnjë pretendim dhe nuk do të bëjë asnjë veprim për heqjen e pronësisë së pajisjeve nga koncesionari. Autoriteti Kontraktues do ta mbajë pajisjen të lirë dhe të çliruar nga çdo peng, barrë apo pretendim. Pas përfundimit të periudhës së koncesionit, Autoriteti Kontraktues do të marrë pronësinë mbi pajisjen.
Koncesionari duhet të bëjë Sigurimin e Kontratës pranë një banke ose shoqërie sigurimi. Vlera e sigurimit të kontratës është  sa 10% e vlerës së kontratës. Sigurimi i Kontratës do të shërbejë si një garanci që koncesionari do të plotësojë detyrimet e tij që rrjedhin nga kjo kontratë. Në momentin që koncesionari nuk kryen ndonjë detyrim që rrjedh nga kontrata, një pjesë e kësaj shume mund të mbahet nga Autoriteti Kontraktues. Autoriteti Kontraktues mund të ekzekutojë sigurimin e kontratës për:
1. Kompensimin e dëmit të shkaktuar nga koncesionari tek Autoriteti Kontraktues si pasojë e shkeljes së koncesionarit të detyrimeve dhe garancive të tij.
2. Kompensimin e dëmit dhe shpenzimeve në rastet kur Autoriteti Kontraktues ushtron të drejtën e tij për të ndërhyrë.
3. Pagesat e penaliteteve që duhet të paguhen nga koncesionari.
Autoriteti Kontraktues do të njoftojë koncesionarin për ekzekutimin e sigurimit dhe të shumës përkatëse. Brenda 15 ditëve nga dita e ekzekutimit të kontratës, koncesionari duhet të shtojë vlerën e sigurimit që ka tërhequr Autoriteti Kontraktues duke bërë që vlera e sigurimit të jetë siç ishte para se të kryhej ekzekutimi.
Koncesionari ka të drejtë të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij. Koncesionari është tërësisht përgjegjës për çdo mangësi, problem ose vonesa në kryerjen e shërbimeve të nënkontraktorëve të tij. Ai duhet të njoftojë Autoritetin Kontraktues për lidhjen e kontratës me nënkontraktorët dhe shërbimet që ata do të ofrojnë.
Nëse koncesionari dëshiron ë të shesë kuota të tij dhe nga kjo shitje ndryshon edhe kontrolli i shoqërisë, pra aksionerët që zotërojnë pjesën më të madhe të kuotave të shoqërisë, atëherë koncesionari duhet të marrë miratimin paraprak të Autoriteti Kontraktues. Ndryshim kontrolli nënkupton që koncesionari ka shitur të paktën 50% të kuotave të tij.
Autoriteti Kontraktues garanton se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim i cili do të ndërpresë ose do të pengojë kryerjen e shërbimeve dhe arkëtimin e tarifës nga koncesionari. Në rast se ndodh ndonjë shkelje e tillë, Autoriteti Kontraktues do t’i paguajë koncesionarit të gjitha shpenzimet, humbjet dhe fitimin e munguar.
Autoriteti Kontraktues garanton se do ta mbajë koncesionarin të pacënuar nga çdo ndryshim thelbësor që mund të cenojë rentabilitetin e tij ekonomik.
Autoriteti Kontraktues do të sigurojë që koncesionari të ketë një posedim të qetë të pajisjeve dhe të të drejtave të tij.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të kryejë monitorime dhe kontrolle mbi koncesionarin në periudha kohore prej 24 muajsh për të verifikuar plotësimin e detyrimeve. Autoriteti Kontraktues mund të kryejë kontrolle në çdo kohë nëse ka informacione të arsyeshme dhe të besueshme që koncesionari nuk ka ekzekutuar detyrimet e tij. Autoriteti Kontraktues duhet të njoftojë koncesionarin në lidhje me monitorimet që do të kryejë.
Tarifa e shërbimit që përfiton koncesionari rregullohet me një udhëzim të veçantë të përbashkët të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë dhe Ministrit të Financave nr. 2, dt. 08.02.2013. Disa nga pikat e këtij udhëzimi janë paraqitur sa më poshtë:

Tarifat e regjistrimit të instrumenteve matëse ligjore
Për çdo instrument matës 85 lekë
Për gramare ose masa vëllimore seri deri në 5 copë  85 lekë
Për çdo gramar ose masë vëllimore shtesë  40 lekë
Verifikimi periodik i instrumenteve matës ligjore në laboratorët e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe të sektorëve të shërbimit
Deri në 1 metër 580 lekë
Mbi 1 metër 800 lekë

Frekuenca e verifikimit të instrumenteve do të jetë të paktën 2 herë në vit.
Nëse rriten kostot ose pakësohet fitimet e shoqërisë koncesionare me mbi 5% për shkak të ndryshimit të ndonjë ligji, atëherë koncesionari do të njoftojë Autoritetin Kontraktues dhe do t’i propozojë atij ndryshime apo shtesa në kontratë në mënyrë që të vihet në të njëjtën gjendje financiare para se të ndodhte ky ndryshim. Autoriteti Kontraktues do të miratojë ose jo këto ndryshime në kontratë.
Nëse pakësohen të ardhurat e shoqërisë koncesionare me mbi 5% për shkak të pakësimit të numrit të inspektimeve si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore, atëherë koncesionari do të njoftojë Autoritetin Kontraktues dhe do t’i propozojë atij ndryshime apo shtesa në kontratë në mënyrë që të vihet në të njëjtën gjendje financiare para se të ndodhte ky ndryshim. Autoriteti Kontraktues do të miratojë ose jo këto ndryshime në kontratë.
Nëse pakësohen të ardhurat e shoqërisë koncesionare për shkak të pakësimit të numrit të inspektimeve, që nuk lidhen me ndryshime ligjore, por që shkakton një pakësim të IRR (normës së brendshme të kthimit) të parashikuar në modelin financiar me mbi 2%, atëherë koncesionari do të njoftojë Autoritetin Kontraktues dhe do t’i propozojë atij ndryshime apo shtesa në kontratë në mënyrë që të vihet në të njëjtën gjendje financiare para se të ndodhte ky ndryshim. Autoriteti Kontraktues do të miratojë ose jo këto ndryshime në kontratë.
Tarifa koncesionari që do t’i paguajë koncesionari Autoritetit Kontraktues është 2.5% të të ardhurave të realizuara.
Totali i investimeve që do të kryhet nga koncesionari është 70’000’000 ALL.
Koncesionari do të fillojë kryerjen e shërbimeve brenda 9 muajve nga data e hyrjes në fuqi të kontratës. Ai merr përsipër të fillojë planin e zbatimit të projektit brenda 60 ditësh nga data e nënshkrimit të kontratës. Ai merr përsipër të kryejë të gjitha investimet për pajisjet brenda 9 muajve nga data e hyrjes në fuqi të kontratës. Afati që të pajiset me lejet e nevojshme është brenda 18 muajve nga data e hyrjes në fuqi të kontratës.
Koncesionari do të pajiset me të gjitha policat e sigurimit që i nevojiten për të ushtruar të drejtat e tij koncesionare. Ai duhet të sigurojë ofrimin e shërbimit të verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit. Koncesionari do të sigurojë edhe përgjegjësinë e tij për shërbimet e kryera.
Koncesionari do të raportojë çdo 3 muaj pranë Autoritetit Kontraktues në lidhje me realizimin e programit të investimeve në vlerë dhe në natyrë dhe me sasinë e verifikimeve që ka kryer. Në fund të çdo viti, ai do të dorëzojë një raport për periudhën 12 mujore të aktivitetit të tij.
Autoriteti Kontraktues duhet të sigurojë që të gjitha organet shtetërore të jenë të mirëinformuara në lidhje me ekzistencën dhe veprimtarinë e shoqërisë koncesionare dhe të bashkëpunojnë me sa më tepër efektivitet me të.
Autoriteti Kontraktues duhet të bëjë të mundur që koncesionari të ketë akses në të gjitha pikat e karburantit në mënyrë të tillë që koncesionari të realizojë veprimtarinë e tij.
Autoriteti Kontraktues angazhohet se do të propozojë të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore për të ndihmuar koncesionarin për të përmbushur objektin e kësaj kontrate.  Kështu, koncesionari do të ketë aksesin për të verifikuar pikat e karburanteve. Gjithashtu, ai do të ketë të drejtën për të evidentuar, raportuar, pezulluar dhe bllokuar ato stacione karburanti që janë në shkelje të ligjit. Nëse pikat e karburantit nuk e lejojnë koncesionarin që të kryejë shërbimin sipas kësaj kontrate, ato mund të pësojnë pezullim ose revokim licence.
Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për detyrimet ligjore dhe kontraktore në rast të mospërmbushjes së këtyre detyrimeve nga ana e tij duke shpërblyer të gjitha dëmet e shkaktuar ndaj koncesionarit.
Koncesionari ka të drejtë të kryejë inspektime shtesë tek subjektet edhe jashtë frekuencës së zakonshme që është rënë dakord me Autoritetin Kontraktues. Në këtë rast, koncesionari nuk do të kërkojë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues apo edhe të subjekteve që do të inspektohen. Por, koncesionari nuk do të ketë të drejtë të tarifojë subjektin për këto inspektime shtesë. Koncesionari ka të drejtë të bëjë edhe kontrolle rutinë për të verifikuar nëse shpërndarësit e karburantit dhe gazit të lëngshëm të cilët kanë rezultuar me probleme dhe që nuk janë riparuar, nuk janë më realisht në përdorim.
Koncesionari ka të drejtë të bllokojë në mënyrë të menjëhershme instrumentin matës në rastet kur nuk janë plotësuar kërkesat teknike dhe metrologjike dhe të vendosë një shirit në pikën e karburantit për të njoftuar edhe qytetarët që nuk duhet ta përdorin këtë pikë. Nëse verifikon që instrumenti matës ligjor nuk plotëson kërkesat metrologjike, koncesionari duhet të njoftojë Autoritetin Kontraktues.
Koncesionari duhet të botojë në faqen e tij të internetit emrat e atyre pikave të karburantit që nuk kanë kryer pagesën dhe rrjedhimisht nuk janë verifikuar; që kanë hequr shiritin dhe që përdorim instrumente matës me probleme teknike ose metrologjike. Në rast të shkeljeve, koncesionari ka të drejtë që të dorëzojë denoncimin tek organet kompetente.
Koncesionari nuk mban asnjë përgjegjësi për humbjen e të ardhurave që mund t’i shkaktohen subjekteve gjatë procesimit të verifikimit, verifikimeve shtesë ose për shkak të bllokimit.
Pas përfundimit të kohëzgjatjes së koncesionit, të gjitha asetet e krijuara, të reja apo të rikonstruktuara, sistemet hardware dhe software do t’i transferohen Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari duhet të krijojë shoqërinë koncesionare brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria koncesionare do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet e parashikuara në kontratë.
Koncesionari do të përballojë me shpenzimet e tij çdo dëm që mund t’i shkaktojë Autoritetit Kontraktues ose palëve të treta.
Koncesionari duhet të marrë të gjitha masat për të respektuar Kodin e Punës, sigurinë në punë, disiplinën teknike, higjienën në punë dhe mbrojtjen nga zjarri. Ai duhet të trajnojë personelin në mënyrë që të parandalohen dëme apo aksidente në punë. Gjithashtu, ai duhet të shmangë dëme ndaj mjedisit, pronës publike dhe private.
Koncesionari do të përdorë asetet e këtij projekti vetëm për të realizuar objektin e kësaj kontrate dhe për ofrimin e shërbimeve ndaj Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari duhet të parandalojë dhe kontrollojë çdo ndotje mjedisore të shkaktuar nga ndonjë punim i tij dhe të kthejë ambientin në situatën e mëparshme me shpenzimet e tij.

Kompania
Shoqëria konçesionare Noa Inspect
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 15.07.2019. Kapitali i saj është 1'000'000 ALL.
Aksionerët

Noa Control - 100% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Matiel Hoxha - administratori aktual (15.07.2019 - 15.07.2024)

Vendndodhja