Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan

Kontrata koncesionare është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë Albtek Energy shpk
Objekti i kontratës është: ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbanë të qarkut të Elbasanit me anë të financimit, projektimit, ndërtimit, vënies në punë, administrimit/ menaxhimit të mbetjeve dhe impiantit, mirëmbajtjen e inceneratorit me qëllim prodhimin e energjisë elektrike dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të zonës dhe transferimin e tij nga koncesionari tek Autoritetit Kontraktues.


Kontrata e koncesionit është e formës BOT. Impianti dhe pasuritë e paluajtshme brenda sheshit do të regjistrohen në emër të koncesionarit. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari do të transferojë tek Autoriteti Kontraktues pronësinë e impiantit, sheshit dhe të gjitha aksionet ose kuotat.
Kohëzgjatja e koncesionit është 7 vjet.
Autoriteti Kontraktues i jep koncesionarit të drejta ekskluzive për:
• Projektimin, financimin, ndërtimin, testimin, pronësinë dhe operimin/ përdorimin e impianteve.
• Gëzim të qetë të aseteve të këtij projekti.
• Përdorim të sheshit për përpunimin e mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit.
• Të shesë dhe të furnizojë me prodhim neto të energjisë elektrike rrjetin elektrik në Shqipëri, por edhe me operatorë të tjerë jashtë saj me kusht që koncesionari të përmbushë të gjitha detyrimet ligjore për prodhimin, transmetimin dhe shitjen e energjisë elektrike; koncesionari duhet të plotësojë kërkesat e Autoritetit Kontraktues dhe ERE për shërbim publik me kusht që koncesionari të kompensohet nga Autoriteti Kontraktues për çdo rënie të ardhurash apo rritje kostosh; KESH sha ka detyrimin që të nënshkruajë marrëveshje me koncesionarin për blerjen e energjisë së prodhuar nga koncesionari sipas tarifave të miratuara nga ERE.
• Inceneratori nuk mund të realizojë përpunimin e mbetjeve pa marrë në fillim pagesën nga blerësi dhe ky i fundit do të realizojë pagesën sipas një metode të përcaktuar në kontratë.
Koncesionari përfiton disponimin e sheshit, të drejtën e kalimit, gëzimin e qetë dhe e drejta për aksesim dhe përdorimin e sheshit të grumbullimit/ depozitimit të mbetjeve urbane. Koncesionari e pranon sheshin në kushtet në të cilat ndodhet. Autoriteti Kontraktues nuk do të jetë përgjegjës ndaj koncesionarit në lidhje me gjendjen e sheshit. Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për kostot e riparimit nga një Ndotje Ekzistuese të Mjedisit, që janë ndotje të mjedisit të shkaktuara nga njeriu duke përfshirë depozitimin e mbeturinave dhe groposjen e municioneve apo armatimeve që ekzistojnë në shesh para se koncesionari të marrë në përdorimin sheshin, dhe të garantojë koncesionarin nga çdo pretendim të palëve të treta se janë dëmtuar nga kjo Ndotje Ekzistuese e Mjedisit.
Autoritetit Kontraktues do të vendosë në dispozicion të koncesionarit të gjitha parcelat në pronësi të organeve shtetërore pa asnjë pagesë. Këtu mund të përfshihen edhe trojet në pronësi të pushtetit vendor. Gjithashtu, Autoriteti Kontraktues do t’i transferojë koncesionarit servitutet. Pasi të ketë marrë gëzimin e plotë të sheshit, koncesionari mund ta hipotekojë, ta lerë peng apo si garanci për huadhënësit. Nëse koncesionari gjykon se e ka të nevojshme zotërimin edhe të pronave të tjera rreth sheshit që janë pronë private, atëherë Autoriteti Kontraktues do të bëjë të mundur procedurat e shpronësimit dhe do të përballojë financiarisht të gjitha pretendimet e palëve të shpronësuara.
Gjatë periudhës koncesionare vetëm koncesionari do të ketë të drejtën të grumbullojë dhe përdorë mbetjet në qarkun e Elbasanit. Asnjë impiant tjetër nuk do të ndërtohet gjatë periudhës në sheshin që do të përdorë koncesionari.
Autoriteti Kontraktues do të mbështesë çdo aplikim të koncesionarit për Mekanizmin e Zhvillimit të Pastrimit.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin të marrë lejet e punës për punonjës të kualifikuar. Ai duhet të ndihmojë koncesionarin pranë organeve publike për të marrë të gjitha lejet, licencat dhe autorizimet e nevojshme për të nisur punimet.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që subjekti i furnizimit me energji elektrike do të blejë energjinë elektrike të prodhuar nga këto impiante.
Koncesionari duhet të ndërtojë linjat e transmetimit nëse vendoset të ndërtohen.
Koncesionari është përgjegjës për të gjitha dëmet dhe rreziqet që mund t’i shkaktohen të tretëve ose Autoritetit Kontraktues. Këto kosto do të përballohen nga vetë koncesionari.
Pasi ka marrë lejen e ndërtimit, koncesionari duhet të paraqesë tek Autoriteti Kontraktues projektin e detajuar dhe të gjitha policat e sigurimit ndaj rreziqeve.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtën që të kryejë monitorime çdo 6 muaj që të verifikojë zbatimin e detyrimeve nga kontrata.
Autoriteti Kontraktues garanton koncesionarin që nuk do të ndërpriten punimet për zbatimin e objektit të kontratës edhe nëse kërkohet ndryshim/ modifikim të projektit me qëllim përdorimin e ndonjë teknologjie më të përparuar.
Koncesionari duhet të marrë masa për trajtimin e ujërave të zeza, hirit dhe energjisë elektrike dhe të mbulojë të gjitha kostot dhe shpenzimet.
Koncesionari duhet të krijojë brenda 60 ditësh shoqërinë koncesionare që do të zbatojë projektin. Koncesionari dhe shoqëria e re koncesionare do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet e kësaj kontrate.
Koncesionari duhet të parandalojë dhe të kontrollojë çdo ndotje mjedisore të shkaktuar nga punimet e tij dhe të kthejë ambientin në gjendjen e mëparshme me kostot e tij. Gjithashtu ai duhet të jetë përgjegjës për çdo dëm tjetër që mund t’i shkaktohet Autoritetit Kontraktues dhe ndonjë pale të tretë.
Koncesionari duhet të marrë masat për të zbatuar dispozitat e Kodit të Punës, sigurimit teknik, higjienës, sigurimit nga zjarri.
Koncesionari nuk duhet të ndërhyjë në burimet ujore që furnizojnë ujësjellësin e zonës.
Totali i investimeve është në vlerën prej 21’600’000 euro.
Koncesionari do të nisë punimet brenda 30 ditëve nga marrja e lejes së ndërtimit.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 10% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij por vetëm pasi të ketë marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues dhe jo për më tepër se 30% të vlerës së investimit.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës koncesionare, koncesionari do të transferojë tek Autoriteti Kontraktues sa më poshtë:
• Objektin e koncesionit dhe impiante të tjerë, ndërtesa dhe mjete.
• Të gjithë lëndët e para, lëndët e konsumit dhe pjesë këmbimi.
• Të gjitha pasuritë e prekshme personale dhe pasuritë e paprekshme personale (të drejtat e pronësisë intelektuale).
• Të dhëna të kompjuterizuara dhe të pakompjuterizuara, raporte, fotografi, informacione, skica, dokumente.
• Të gjitha garancitë e materialeve, pajisjeve dhe punimeve.
• Të drejtat e kontratës si qeratë dhe policat e sigurimit.
• Të gjitha veprat në progres.
Në amendimin e kontratës dt. 12.05.2015 është vendosur që investimi prej 21’600’000 euro do të paguhet nga Buxheti i Shtetit duke filluar nga muaji i shtatë i fillimit të punimeve.

Kompania
Albtek Energy
Përshkrimi i kompanisë
Objekti: ndërtim hidrocentralesh dhe termocentralesh. Prodhim, montim dhe tregti me shumicë dhe pakicë i paneleve diellore. Trajtimi i mbetjeve organike dhe të ngurta. Ndërtimi i inceneratorit. Zhvillimi i veprimtarisë minerare me punime sipërfaqësore dhe nëntokësore. Shoqëria është themeluar më 10.07.2014. Kapitali i saj është 6'600'000 ALL.
Aksionerët

Stela Gugallja - 100% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Stela Gugallja - administratori aktual (10.07.2014 - 11.07.2024)

Vendndodhja