Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Shushica

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe shoqërisë koncesionare Shushica Hydropower shpk, e cila është bashkim i përkohshëm i shoqërive GR Albania shpk, Trema Engineering 2 shpk dhe Alb – Star shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentraleve HEC Drashovicë, HEC Kote, HEC Gjorm dhe HEC Brataj në pellgun ujëmbledhës të lumit Shushicë, qarku Vlorë. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues.

Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues). Për të plotësuar këtë objektiv të kontratës, koncesionari duhet të kryejë veprimet si më poshtë:
• Të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të ketë në pronësi, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.
• Të përdorë burimet ujore të pellgun ujëmbledhës të lumit Shushicë për realizimin e objektit të koncesionarit duke respektuar kushtet mjedisore dhe rrjedhën ekologjike.
• Të përdorë pa pagesë tokën dhe asetet publike në shesh duke përfshirë zhavorrin dhe materialet e tjera të nevojshme.
• Të marrë sheshin për të patur të drejtën e kalimit dhe gëzimin e qetë.
• Të aplikojë për çdo skemë mbështetjeje të prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.
• Me mbarimin e periudhës së koncesionit t’i kthejë Autoritetit Kontraktues përdorimin e sheshit dhe të drejtën për kalim dhe t’i transferojë Autoritetit Kontraktues pronësinë e hidrocentraleve dhe të objekteve ekzistuese nëse ka, të cilat duhet të jenë në gjendje të mirë pune.
• Koncesionari duhet të ketë të drejtën ekskluzive ndaj çdo atributi mjedisor që mund të ketë nga projekti.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë asnjë shpenzim dhe nuk duhet të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim që mund të ketë koncesionari në lidhje me gjendjen e sheshit. Autoriteti Kontraktues do të mbështesë koncesionarin në marrëdhënie me palët e treta në mënyrë që të shmanget çdo pengesë në lidhje me procedurat e shpronësimeve ose me gëzimin dhe përdorimin e tokës dhe aseteve publike. Kështu, koncesionarit i sigurohet e drejta e kalimit dhe gëzimi i qetë i sheshit.
Nëse koncesionari gjykon që i nevojitet edhe truall që është pronë private, atëherë do t’i paraqesë Autoritetit Kontraktues të gjithë dokumentet përkatëse. Autoriteti Kontraktues mund te miratojë dhe të nisë procedurat e shpronësimit. Të gjitha kostot e shpronësimit dot ë përballohen nga koncesionari.
Nëse dëshiron, koncesionari mund të aplikojë për të përfituar nga skema e mbështetjes për trajtimin e energjisë së prodhuar. Të gjitha procedurat janë hartuar nga ERE. Pasi koncesionari të ketë aplikuar, të jenë zbatuar procedurat e komisionimit dhe të jenë vënë në punë hidrocentralet do të zbatohet blerja e energjisë për një periudhë prej 15 vitesh. është parashikuar që hidrocentralet do të vihen në punë brenda dt. 31 dhjetor 2020.
Autoriteti Kontraktues ose ndonjë autoritet tjetër mund t’i japin të drejta një pale të tretë për të kontrolluar, shfrytëzuar, devijuar ose shkarkuar rezervat ujore në shesh, por këto veprime nuk do të ndikojnë negativisht në operimin e koncesionarit. Autoriteti Kontraktues do të mbrojë dhe do ta mbajë koncesionarin të pacënuar nga të gjitha humbjet (e shkaktuar nga dhënie e të drejtave për operim në shesh edhe të ndonjë pale të tretë) dhe do të marrë masa për të rregulluar shkeljet brenda 90 ditëve. Në rast të kundërt, koncesionari ka të drejtë të zgjidhë kontratën.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë koncesionarin çdo 3 muaj për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe të projektit. Kostot e monitorimit do të mbulohen nga vetë ai.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet. Palët mund të bien dakord që të zgjatet periudha e koncesionit duke u bazuar në një marrëveshje tjetër.
Autoriteti Kontraktues garanton blerjen e energjisë elektrike nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes përmes një kontrate.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e projektit.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin për të lidhur marrëveshje ose kontrata me institucione publike.
Autoriteti Kontraktues merr përsipër të mbështesë koncesionarin për lidhjen e centralit me Rrjetin Elektrik Kombëtar.
Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për detyrimet ligjore dhe kontraktore dhe do të dëmshpërblejë koncesionarin për të gjitha dëmet që mund t’i shkaktojë në rast mospërmbushje të detyrimeve të tij.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës, sigurinë teknike, disiplinën teknike, higjienën, sigurimin nga zjarri dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari nuk duhet të ndërhyjë në burimet ujore që furnizojnë ujësjellësin e zonës dhe të sigurojë ujin e nevojshëm për vaditje për nevojat e bujqësisë.
Koncesionari do të nisë punimet brenda 55 ditësh nga marrja e lejes së ndërtimit.
Totali i investimeve është 2’433’789’054 ALL pa TVSH.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 5% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Tarifa koncesionare është 2.1% e prodhimit vjetor të energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues.
Ortakët që përbëjnë shoqërinë koncesionare kanë të drejtë të shesin ose blejnë kuotat ndërmjet tyre ose ndonjë pale të tretë. Çdo transferim kuote midis ortakëve ose tek një palë e tretë, duke përfshirë edhe transferim të kontrollit), duhet të miratohet paraprakisht nga Autoritetit Kontraktues. Për këtë, Autoriteti Kontraktues do të vlerësojë eksperiencën, kapacitetin financiar, qëndrueshmërinë dhe reputacionin e ortakëve të rinj.
Koncesionari nuk do të vendosë barrë, shesë, cedojë apo transferojë në ndonjë mënyrë tjetër të drejtat dhe detyrimet e tij pa miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari duhet të raportojë me shkrim çdo 3 muaj pranë Autoritetit Kontraktues në lidhje me programin e investimeve financiare dhe në natyrë dhe për sasinë e prodhimit të energjisë elektrike.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: hidrocentralin dhe objektet ekzistuese të lidhura me të, ndërtesa, makineri, pajisje, pronësinë mbi ndërtesat apo impiantet e ndërtuara, të drejtat kontraktore, dorëzimin e librave, dokumenteve dhe garancive. Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së koncesionit.

Kompania
Shushica Hydropower
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 17.05.2017. Kapitali i saj është 100'000 ALL.
Aksionerët

Trema Engineering 2 - 33% të kuotave
GR Albania - 33% të kuotave
Alb - Star - 34% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Ermira Pepaj - administratori aktual (30.10.2019 - 30.10.2024)
Henri Aleksi - administratori (17.05.2017 - 30.10.2019)

Vendndodhja