Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i hidrocentralit Poçem

Kontrata koncesionare është lidhur ndërmjet Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe shoqërisë Kovlu Energji shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, mirëmbajtja e hidrocentralit Poçem në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosë. Në fund të periudhës koncesionare, objektet do të transferohen tek Autoriteti Kontraktues. Kontrata është e formës BOT (ndërtim, operim dhe transferim i të drejtës së pronësisë dhe operimit në fund të kontratës së koncesionit tek Autoritetit Kontraktues).


Koncesionari nuk duhet të cenojë burimet ekzistuese të ujit të pijshëm dhe veprave të tjera të ujitjes apo të kullimit që mund të ndikohen nga ndërtimi i hidrocentralit si psh stacioni i Pompimit në Poçem, Kute dhe Fratar të cilat furnizojnë me ujë të pijshëm krahina të tëra në Mallakastër, Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës në Bashkinë e Ballshit, fshatra etj një popullsi rreth 50’000 banorë. Gjithashtu, koncesionar nuk duhet të cenojë objektet antike me status monument kulture si në fshatin Rrexhepaj, Gorisht, Vllahinë, Vlorë, banesën e Murat Xhelilit në Dushkarak, Vlorë dhe banesën e Selim Shehajt në fshatin Kute, Mallakastër. Gjithashtu nuk duhet të cenojë kërkesat për ujitje për 40’000 ha tokë bujqësore në Myzeqe në Vlorë dhe në Fier.
Për të plotësuar këtë objektiv të kontratës, koncesionari duhet të kryejë veprimet si më poshtë:
• Të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të ketë në pronësi, të operojë dhe të mirëmbajë hidrocentralin.
• Të ketë gëzim të qetë të sheshit ku do të zhvillojë punimet.
• Të ketë akses dhe të përdorë ujin e pjesës së poshtme të lumit Vjosë, midis lartësive 72 dhe 38 brenda kufijve gjeografikë.
• Të shesë dhe të furnizojë me prodhim neto të energjisë elektrike palët e treta në Republikën e Shqipërisë dhe operatorë të tjerë jashtë Republikës së Shqipërisë.
• Kur periudha e koncesionit përfundon, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit Kontraktues përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentraleve dhe të objekteve të shtuara, impianteve etj.
Autoriteti Kontraktues nuk do t’i japë asnjë subjekti tjetër të drejtat për të shfrytëzuar, devijuar ose çliruar ujë mbi rrjedhën e ujërave që kalojnë në sheshe. Në rast se Autoritetit Kontraktues i jep një subjekti tjetër ekonomik këto të drejta dhe kjo gjë i shkakton dëme koncesionarit atëherë Autoritetit duhet të kompensojë çdo dëm.
Koncesionari do të marrë në dorëzim sheshin dhe objektin ekzistues dhe mund ta shtojë ose ta zgjerojë atë. Koncesionari ka të drejtën e gëzimit të qetë të sheshit që do të thotë të mos ketë asnjë ndërhyrje të parregullt nga Autoriteti Kontraktues apo nga ndonjë autoritet tjetër shtetëror. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit përdorimin e sheshit, t’i transferojë pronësinë e hidrocentralit dhe të objekteve ekzistuese të shtuara.
Koncesionari merr në përdorim sheshin në gjendjen siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë asnjë shpenzim dhe nuk duhet të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim që mund të ketë koncesionari në lidhje me gjendjen e sheshit.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë koncesionarin çdo 3 muaj për të verifikuar ecurinë e punimeve dhe të projektit.
Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vjet.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë që koncesionari të sigurojë të gjitha lejet, licencat, autorizimet në mënyrë të tillë që të nisë puna dhe në të gjitha marrëdhëniet e koncesionarit me autoritetet shtetërore. Po ashtu, Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë koncesionarin që të nxjerrë sa më parë vizat për punonjësit e huaj.
Brenda mundësive të tij, Autoriteti Kontraktues mund të ndihmojë koncesionarin nëse ky i fundit ia kërkon për çështje në lidhje me shpronësimet.
Koncesionari është përgjegjës për ndërtimin e linjave të transmetimit duke i mbuluar vetë të gjitha shpenzimet.
Nëse në të ardhmen autoritetet publike vendosin që duhet rritur sasia e ujit që lëshohet për përdorim civil dhe ujitje, atëherë kjo mund të shoqërohet me një dëm ekonomik mbi koncesionarin. Ky dëm do të kompensohet nga autoritetet përkatëse publike.
Të drejtat e pronësisë së sheshit që zotërohen nga Autoriteti Kontraktues nuk mund të lihen peng ose të vendosen në hipotekë. Vetëm të drejtat e përdorimit të sheshit mund të lihen peng ose si garanci nga koncesionari.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që ndërtimi i veprave të tjera hidroteknike në të njëjtën rrjedhë nuk do të ndikojë në mbarëvajtjen e hidrocentraleve.
Koncesionari mund të pakësojë kapacitetin prodhues të energjisë elektrike, por ai nuk mund ta pakësojë më tepër se 20% të kapacitetit të rënë dakord në kontratë.
Koncesionari duhet të krijojë një shoqëri koncesionare për të nisur punimet brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria e re e krijuar do të jenë solidarisht përgjegjës për të gjitha të drejtat dhe detyrimet në kontratën e koncesionit.
Koncesionari duhet të ruajë ekosistemin, sasinë e ujit ekologjik në shtratin parësor të lumit/rrjedhës dhe të parandalojë ndotjen e mjedisit, duhet të zbatojë Kodin e Punës dhe duhet të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që mund të shkaktohen mbi Autoritetin Kontraktues ose palë të treta. Koncesionari duhet të parandalojë ndotjen e mjedisit dhe ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme me shpenzimet e veta.
Koncesionari e pranon sheshin ku do të operojë ashtu siç është. Autoriteti Kontraktues nuk do të kryejë ndonjë shpenzim mbi të dhe nuk do të jetë përgjegjës për ndonjë pretendim ndaj koncesionarit në lidhje me gjendjen e sheshit.
Koncesionari merr përsipër të vërë në punë hidrocentralet brenda 36 muajve nga data e marrjes së lejes së ndërtimit. Afati i marrjes së lejes së ndërtimit është jo më shumë se 24 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kontratës.
Totali i investimeve duke përfshirë edhe fondin rezervë në masën 5% është 14’841’460’319 ALL, nga të cilat 5’455’000’000 ALL do të investohen në makineri dhe pajisje mekanike dhe elektrike.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 5% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Tarifa koncesionare është 2.2% e të ardhurave neto nga prodhimi vjetor i energjisë elektrike të cilën koncesionari duhet t’ia paguajë Autoritetit Kontraktues. Tarifa nuk do të ndryshojë përgjatë gjithë periudhës koncesionare.
Koncesionari duhet të riinvestojë 60% të vlerës së makinerive dhe pajisjeve duke filluar nga viti i 25 – të nga hyrja në fuqi e kësaj kontrate.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij, por duhet të marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues dhe vlera e nënkontraktuar nuk duhet të tejkalojë 50% të vlerës së kontratës.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në fund të periudhës, Koncesionari duhet të transferojë pa kundërshpërblim tek Autoriteti Kontraktues: lëndët e para, pjesë këmbimi, pasuri të prekshme personale, pasuri të paprekshme personale, të drejtat e pronësisë intelektuale, hidrocentralin, ndërtesa dhe mjetet, të dhëna të kompjuterizuara dhe jo – të kompjuterizuar, raporte, skica, garancitë e materialeve, pajisjeve dhe punimeve, të drejtat e kontratës duke përfshirë qeratë dhe policat e sigurimeve, të gjitha veprat në progres. Të gjitha objektet dhe impiantet duhet të jenë në gjendje funskionale. Procesi i dorëzimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimin të periudhës së koncesionit.

Kompania
Kovlu Energji
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: ndërtimi i HEC - it Poçem, të tipit me digë në rrjedhën e poshtme të lumit Vjosë, të tipit BOT, prodhim, transmetim dhe shpërndarje të energjisë elektrike, nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve me anë të procedurave të koncesnsionit. Ndërtim, depozitim, shfrytëzim i burimeve ujore dhe natyrore me qëllim prodhimin e energjisë. Krijimin e linjave të prodhimit, të
njësive të vogla dhe të mëdha për prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike së prodhuar nga burime natyrore dhe alternative. Shoqëria është themeluar më 09.08.2016. Kapitali i saj është 1'400'000 ALL.
Aksionerët

Genti Malko - 5% të aksioneve.
Ayen Enerji - 20% të aksioneve.
Çinar - San Harfiyat Nakiyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi - 75% të aksioneve
Në Aktin e Themelimit, shoqëria përbëhet vetëm nga 2 ortakë: Ayen Enerji dhe Çinar - San Harfiyat Nakiyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi

Persona dhe entite të lidhura
Yuksel Çinar - administrator(09.08.2016 - 09.08.2019)
Më 09.03.2017 është shtuar ortaku Genti Malko duke blerë 5% të aksioneve. është zvogëluar kapitali i ortakut Çinar - San Harfiyat Nakiyat Insaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Sirketi nga 80% në 75% të aksioneve.

Vendndodhja