Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Përdorimi i burimit ujor Sasaj, Bunec, në komunën Lukovë, Sarandë

Kontrata e koncesionit është nënshkruar midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Blue Eye One shpk”. Kontrata është një kontratë e formës BOT, shfrytëzim dhe transferim në pronësi të shtetit.
Objekti i koncesionit: përdorimi i burimit ujor “Sasaj” nëpërmjet financimit, projektimit, ndërtimit, vënien në punë, administrimin, mirëmbajtjen e veprës dhe transferimin tek Autoriteti Kontraktues në fund të periudhës koncesionare. Koncesionari do të përdorë ujin vetëm për qëllimet e imbotilimit dhe eksportit rifuxho me anije dhe gjithashtu nëpërmjet një linje transmisioni tubacioni onshore/offshore me stacion pompimi. Vendndodhja e burimit ndodhet në fshatin Bunec, komuna Lukovë, Sarandë. Burimi “Sasaj” ndodhet në zonën Shkallnevic.

Koncesionari do të kryejë veprimet si më poshtë:
• Punime të tilla si: kaptazh, linjë dërgimi në drejtim të molit, rrugë lidhëse me rrugën nacionale, fabrikë imbotilimi.
• Transporti detar dhe tokësor për transportin e ujit në tregun vendas dhe të huaj.
• Uji që merret nga kaptazhi do të kalojë në matësin e ujit dhe do të futet në rezervuarin e pritjes së ujit.
• Depozitimi i ujit në rezervuarë për të vazhduar proceset dhe vijimësinë sasiore konstante në raport me kohën.
• Linja e formimit dhe mbushjes së shisheve e cila do të prodhojë shishe brenda standardit.
Koncesionari do të marrë në përdorim sheshin, por nëse për kryerjen e punës së tij do të nevojitet edhe shpronësime të truallit që është pronë private, atëherë koncesionari do t’i paraqesë këtë kërkesë Autoritetit Kontraktues së bashku me dokumentet dhe argumentet përkatëse. Autoriteti Kontraktues mund të miratojë propozimin për shpronësime të truallit, por të gjitha shpenzimet dhe kostot në lidhje me këto shpronësime do të mbulohen nga koncesionari.
Sasia e ujit që do të jepet në përdorim do të jetë 50 l/sek për periudhën 15 qershor – 30 tetor dhe 200 l/sek për periudhën 1 nëntor – 15 qershor.
Nuk duhet të ndalohet dhe të devijohet rrjedhja e ujit nga shtrati natyral i përroit. Për të kapur sasinë e ujit të përcaktuar në kontratë dhe për të mbrojtur ujin nga ndotjet do të ndërtohet një kaptazh me 2 mjedis vendgrumbullimi dhe dhoma e manovrimit. Nga ky kaptazh, uji do të kalojë në fabrikën e imbotilimit dhe në molin e ngarkimit të anijeve.
Kohëzgjatja e koncesionit është 20 vjet, por më vonë kjo është ndryshuar në 35 vjet.
Koncesionari ka të drejta ekskluzive për të përdorur ujin e burimit Sasaj, Bunec, Sarandë.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin për të siguruar autorizimet, lejet dhe licencat në mënyrë në raport me institucionet shtetërore në varësi të Autoritetit Kontraktues ose me institucione të tjera në mënyrë që koncesionari të nisë sa më parë punën.
Në fund të periudhës koncesionare, koncesionari do t’i dorëzojë Autoritetit Kontraktues të gjitha asetet dhe dokumentet në lidhje me koncesionin pa asnjë lloj detyrimi apo barre dhe në gjendje funksionale.
Tarifa koncesionare që koncesionari do t’i paguajë Autoritetit Kontraktues është 2% e fitimit vjetor të realizuar nga shitjet duke përjashtuar TVSH – në brenda dhe jashtë vendit. Koncesionari do të ketë mundësi që të përfitojë pagesa për përdorimin e mjetit të infrastrukturës (pontilit) për të eksportuar ujin e burimit Sasaj dhe të tregtimit të tij.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë hipotekë, peng apo barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe do të hyjë në çdo lloj marrëveshje financimi me çdo palë të tretë me kusht që hipoteka, pengu apo barra dhe marrëveshja financuese të shërbejnë për të përmbushur objektivin e kontratës së koncesionit.
Koncesionari do të riinvestojë 15% të vlerës së investimit për makineritë dhe pajisjet duke filluar nga viti i 8 – të para përfundimit të kësaj kontrate.
Autoriteti Kontraktues mund të ushtrojë jo më shumë se 2 kontrolle financiare në vit.
Autoriteti Kontraktues do të garantojë koncesionarin që ushtrimi i veprave të tjera të ngjashme në zonën përreth vendit ku ky i fundit kryen aktivitetit nuk do të cenojë mbarëvajtjen e projektit dhe nuk do të shkaktojë dëme financiare mbi koncesionarin. Në rast të kundërt, koncesionari ka të drejtë të kërkojë mbulimin e këtyre dëmeve.
Koncesionari merr përsipër të fillojë punimet për zbatimin e projektit brenda 90 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të kontratës. Koncesionari merr përsipër që linja do të vihet në shfrytëzim brenda 14 muajve dhe se do të nxjerrë ujin në treg brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e kontratës.
Nëse koncesionari evidenton që mund të kryhen përmirësime në zbatimin e një teknologjie të re më të përparuar, në përmirësimin e proceseve, në përmirësimin e cilësisë dhe në përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve, ai duhet të njoftojë fillimisht Autoritetin Kontraktues në lidhje me këto përmirësime dhe mund t’i zbatojë ato vetëm pasi të ketë marrë miratimin e tij.
Autoritetit Kontraktues do të dëmshpërblejë dhe mbrojë koncesionarin nga pretendimet e ndonjë pale të tretë nëse dëmet janë shkaktuar për shkak të Autoritetit dhe anasjelltas.
Koncesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve por jo për më tepër se 30% të vlerës së kontratës dhe jo pa miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues.

Kompania
Prestige Acqua Oligominerale
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: import - eksport, tregtim të të gjithë llojeve të artikujve ushqimorë me shumicë dhe pakicë, etj. Shoqëria është themeluar më 07.01.2011. Kapitali i saj është 100'000 ALL.
Aksionerët

Sofije Merkaj - 50% të aksioneve
Prestige Immobiliare - 50% të aksioneve
Në Aktin e Themelimit të shoqërisë, emri i shoqërisë është Blue Eye One, ndërsa ortakët e saj janë: Sofije Merkaj dhe Ioannis Avdis.

Persona dhe entite të lidhura
Sofije Merkaj - administratori aktual (07.01.2011 - 30.08.2021)


Më 13.11.2015 kanë ndodhur 2 ndryshime në shoqëri:
1. Ortaku Prestige Immobiliare SA ka blerë edhe 20% të aksioneve të ortakut Ioannis Avdis. Kështu, është shtuar kapitali i Prestige Immobiliare SA nga 30% në 50% të aksioneve.
2. Ka ndryshuar emri i shoqërisë nga “Blue Eye One” në “Prestige Immobiliare SA”.
Më 07.10.2015, shtohet ortaku Prestige Immobiliare SA i cili blen 30% të aksioneve të ortakut Ioannis Avdis. Kështu pakësohet pesha e kapitalit të ortakut Ioannis Avdis nga 50% në 20% të aksioneve.
Më 23.09.2013, Ansambleja e Ortakëve vendosi që të bërë aktivizim aktiviteti. Statusi u ndryshua sërish nga “Pezulluar” në “Aktiv”.
Më 19.06.2012 është vendosur pushimi i përkohshëm i aktivitetit. U ndryshua statusi nga “Aktiv” në “Pezulluar”.

Vendndodhja