Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Prodhimi i kripës në Nartë, Vlorë

Kontrata e koncesionit është lidhur midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe shoqërive Albsale sha, Hodaj shpk, Ansi shpk V&K shpk dhe Oro di Sicilia srl.
Objekti i kontratës: rehabilitimi, administrimi, mirëmbajtja e aktiviteteve për prodhimin e kripës nga shoqëria koncesionare. Në fund të periudhës së kontratës, të gjitha asetet e luajtshme dhe të paluajtshme dhe të drejtat e tjera si: emri, marka, patenta, marketingu i prodhimit do të transferohen nga koncesionari tek Autoriteti Kontraktues.


Periudha e koncesionit është 35 vjet. Pas përfundimit të periudhës 35 vjeçare, palët mund të bien dakord që të zgjasin afatin e kësaj kontrate.
Koncesionari do të ketë të drejta ekskluzive për të prodhuar kripë në Nartë. Autoriteti Kontraktues nuk do të lidhë ndonjë kontratë apo marrëveshje me palë të treta për të dhënë të drejta të prodhimit të kripës në këtë zonë.
Autoriteti Kontraktues do të sigurojë që çdo ent shtetëror nën autoritetin e drejtpërdrejtë të tij do t’i lëshojë koncesionarit autorizimet, licencat dhe lejet për të operuar. Nëse një ent shtetëror nuk është nën varësinë e Autoritetit Kontraktues, atëherë ky i fundit do të bëjë çdo përpjekje tek ky ent shtetëror që të lëshojë sa më parë lejet, licencat dhe autorizimet.
Në fund të periudhës koncesionare, koncesionari do të transferojë tek Autoriteti Kontraktues asetet e luajtshme dhe të paluajtshme si tokat, vaska, kanalizime, tubacione, linja teknologjike të prodhimit, transportimit dhe marketimit të kripës. Procesi i transferimit do të nisë 6 muaj përpara përfundimit të kontratës.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë që të monitorojë objektin e koncesionit për të verifikuar zbatimin e detyrimeve në periudha kohore prej 6 muajsh. Autoriteti Kontraktues duhet të njoftojë koncesionarin paraprakisht rreth kontrolleve.
Autoriteti Kontraktues mund të kryejë kontrolle një herë në vit. Ai duhet të sigurohet që kontrolli nuk e ndërpret në mënyrë të paarsyeshme punën e koncesionarit. Kostot e kontrollit përballohen nga Autoriteti Kontraktues.
Gjatë periudhës së koncesionit, koncesionari duhet të identifikojë përmirësime të reja ose potenciale të projektit duke përfshirë nevojën për teknologji të re dhe më të zhvilluar, përmirësime të cilësisë së shërbimeve, përgjegjshmërisë, procedurave, mekanizmat e performancës dhe shërbimet mbështetëse ndaj klientëve. Nëse Autoriteti Kontraktues dëshiron të zbatojë ndonjë nga përmirësimet, atëherë ai do të njoftojë koncesionarin dhe të dy duhet të hartojnë një plan pune.
Vlera e investimit është 1’400’000 ALL. Vlera e ndryshuar e investimit mund të jetë më e madhe se 1’400’000 ALL, por jo më pak se 20% e vlerës së investimit total.
Tarifa koncesionare është 6% e të ardhurave vjetore nga shitjet (duke përjashtuar TVSH - në) që koncesionari duhet t’i paguajë Autoritetit Kontraktues. Detyrimi i koncesionarit për pagesën e kësaj tarife fillon nga viti i parë i realizimin të të ardhurave nga ky projekt. Tarifa koncesionare paguhet brenda 30 ditëve nga dorëzimi i detyrueshëm i bilancit.
Koncesionari do të sigurojë financim nga palë financuese të besueshme. Koncesionari ka të drejtë të vendosë hipotekë, peng apo ndonjë barrë tjetër mbi asetet që do të krijohen në zbatim të këtij projekti si dhe të lidhë çdo lloj marrëveshjeje financimi me çdo palë financuese me kusht që hipoteka, pengu apo barra tjetër si dhe marrëveshja përkatëse e financimit t’i shërbejnë vetëm përmbushjes së detyrimeve të koncesionit.
Koncesionari mund të lidhë nënkontrata me subjekte të tjera për realizimin e detyrimeve deri në masën 40% të volumit të investimeve. Koncesionari do të njoftojë Autoritetin Kontraktues për nënkontraktorin dhe ai është përgjegjës përpara Autoritetit Kontraktues për përmbushjen e detyrimeve nga ana e nënkontraktuesit.
Koncesionari do të sigurojë personelin e mjaftueshëm dhe të kualifikuar për të zbatuar kontratën.
Autoriteti Kontraktues do t’i dorëzojë koncesionarit të gjithë sipërfaqen e tokës, asetet, makineritë, pajisjet dhe objektet brenda 10 muajve nga data efektive e kontratës në gjendjen e tyre ekzistuese.
Autoriteti Kontraktues duhet të përkrahë koncesionarin përkundrejt çdo enti shtetëror i cili, me veprimet ose mosveprimet e tij, mund të ndikojë negativisht në veprimtarinë e koncesionarit.
Autoriteti Kontraktues duhet të bëjë çdo përpjekje që të sigurojë lidhjen e marrëveshjeve ose kontratave midis koncesionarit dhe institucioneve publike.
Autoriteti Kontraktues do të sigurojë që nuk do t’i jepet autorizim asnjë pale të tretë për të përdorur, ndërtuar ose konstruktuar në sipërfaqen që do të shfrytëzohet për aktivitetin e prodhimit të kripës. Çdo autorizim, leje ose licencë që mund të jepet do të konsiderohet si i pavlefshëm.
Sipërfaqja e tokës së dhënë me koncesion dhe çdo e drejtë tjetër reale janë objekt i regjistrimit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe kontraktore. Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e tij, ai do të dëmshpërblejë të gjitha dëmet që ka shkaktuar ndaj koncesionarit. Këto dëmshpërblime do të përfshijnë kthimin e vlerës së investimit (që është vlera e aseteve në momentin e zgjidhjes së kontratës), sigurimin e kontratës dhe shpërblimin e dëmit për shkak të shkeljes së kushteve të kontratës.
Koncesionari duhet të zbatojë projektin e koncesionit.
Koncesionari do të përcaktojë, mbikëqyrë, monitorojë dhe kontrollojë aktivitetet e nënkontraktorit.
Në fund të përfundimit të periudhës së koncesionit, pasuritë ose asetet e krijuara nga shoqëria koncesionare do t’i kalohen Autoritetit Kontraktues pa kundërshpërblim.
Autoriteti Kontraktues do të krijojë një shoqëri koncesionare brenda 30 ditëve nga data efektive e kontratës. Koncesionari dhe shoqëria koncesionare do të jenë individualisht dhe solidarisht përgjegjës për detyrimet që rrjedhin nga kjo kontratë.
Koncesionari duhet të raportojë çdo 6 muaj pranë Autoritetit Kontraktues në lidhje me ecurinë e koncesionit.
Koncesionari duhet të ndërmarrë masat e duhura dhe të nevojshme për garantimin e kushteve të sigurisë në punë për punonjësit e tij dhe të njohë dhe të zbatojë legjislacionin që lidhet me parandalimin e dëmeve dhe të fatkeqësive.
Koncesionari duhet të marrë masa për të garantuar mbrojtjen e mjedisit gjatë periudhës së koncesionit.
Koncesionari duhet të përballojë të gjitha shpenzimet në lidhje me dëmet që mund t’u shkaktojë të tretëve dhe Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari duhet të sigurojë kontratën pranë një shoqërie sigurimi ose një institucioni bankar në shumën 10% të vlerës totale të investimit.

Kompania
Alb - Sale - Vlora
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 13.07.2009. Kapitali i saj është 27'529'272 ALL.
Aksionerët

Vilson Çipi - 90% të kuotave
Hodaj - 10% të kuotave


Në Aktin e Themelimit, ortakë të shoqërisë ishin: Hodaj shpk me 10% të kapitalit, Alb - Sale sha me 60 % të kapitalit, V&K shpk me 10% të kapitalit, Ansi shpk me 10 % të kapitalit dhe Oro di Sicilia me 10% të kapitalit.

Persona dhe entite të lidhura
Vilson Çipi - administratori aktual (13.07.2009 - 27.08.2024)


Më 16.12.2014, ortaku Alb – Sale sha i ka shitur 90% të kuotave të tij Vilson Çipit. Alb – Sale sha është larguar nga shoqëria konçesionare Alb - Sale - Vlora shpk.
Më 18.09.2014, ortaku V&K i ka dhuruar 10% të kuotave të tij shoqërisë Alb – Sale sha. është rritur kapitali për ortakun Alb – Sale sha nga 80% në 90% të kuotave. Ortaku V&K është larguar nga shoqëria.
Më 02.09.2014, ortaku Ansi i ka dhuruar 10 % të kuotave të tij shoqërisë Alb – Sale sha. është rritur kapitali për ortakun Alb – Sale sha nga 70% në 80% të kuotave. Ortaku Ansi është larguar nga shoqëria.
Më 02.11.2012 është zmadhuar kapitali i shoqërisë nga 100’000 ALL në 27’529’272 ALL.
Më 24.09.2009 është deklaruar që është larguar ortaku Oro di Sicilia dhe është rritur kapitali për ortakun Alb – Sale sha nga 60% në 70% të kuotave.

Vendndodhja