Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Kontrolli teknik i detyrueshëm i mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre

Kontrata koncesionare është lidhur midis Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe shoqërisë Societe Generale De Surveillance SA.
Koncesionari do të marrë në dorëzim Qendrat e Kontrollit Teknik ekzistuese në gjendjen e tyre aktuale, sipas një inventari. Gjithashtu, koncesionari do të marrë pajisjet ekzistuese në gjendjen e tyre aktuale dhe nuk do të ketë asnjë pretendim në të ardhmen kundrejt Autoritetit Kontraktues në lidhje me gjendjen e tyre.


Autoriteti Kontraktues do t’i sigurojë koncesionarit gëzim të qetë dhe akses tek sheshi ku do të kryejë aktivitetet. Autoriteti Kontraktues do t’i ofrojë koncesionarit të dhënat e mjeteve rrugore me motor dhe rimorkiove të tyre në gjendjen e tyre aktuale, pra siç janë, dhe Autoriteti Kontraktues nuk mban përgjegjësi në lidhje me gjendjen e informacionit.
Autoriteti Kontraktues dhe koncesionarit do të lidhin një marrëveshje uzurfrukti për krijimin e uzufruktit mbi QKT ekzistuese në favor të koncesionarit pa pagesë deri në përfundim të periudhës së koncesionit.
Objekti i kontratës është ofrimi i shërbimeve:
1. Të projektojë, financojë, rehabilitojë, testojë, të ketë në përdorim, të shfrytëzojë dhe të mirëmbajë Qendrat e Kontrollit Teknik ekzistuese
2. Të projektojë, financojë, ndërtojë, testojë, të ketë në pronësi dhe të transferojë në fund të koncesionit, të shfrytëzojë dhe të mirëmbajë Qendrat e Kontrollit Teknik të reja dhe pajisjet elektromekanike dhe kompjuterike.
3. Të financojë, të testojë, të ketë në pronësi dhe të transferojë, të shfrytëzojë dhe të mirëmbajë Qendrat e Kontrollit Teknik të Lëvizshëm dhe pajisjet elektromekanike dhe kompjuterike të saj.
4. T’ju ofrojë klientëve shërbimin e kontrollit teknik.
Kohëzgjatja e kontratës është 10 vjet. Por, pas 8 vitesh, të dyja palët mund të diskutojnë për një zgjatje të kontratës së koncesionit nëse ka një interes publik dhe nëse koncesionari i ka plotësuar të gjitha detyrimet e tij.
Koncesionari ka të drejta ekskluzive në lidhje me këtë shërbim dhe Autoriteti Kontraktues nuk do të ketë të drejtë të lidhë asnjë kontratë të tillë të ngjashme me palë të treta. Në asnjë rast, koncesionari nuk do të kryejë këtë shërbim me nënkontraktorë.
Koncesionari nuk do të transferojë aksionet e kapitalit pa miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues dhe ai nuk mund të krijojë drejtpërdrejti ose tërthorazi degë të tjera brenda Republikës së Shqipërisë.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë koncesionarit me sigurimin e të gjitha lejeve dhe licencave për të nisur punë. Nga ana tjetër, koncesionari duhet t’i paraqesë Autoritetit Kontraktues që i zotëron të gjitha burimet teknike për të nisur punën.
Tarifa koncesionare është e barabartë me 5% të xhiros vjetore (para tatim fitimit dhe duke përjashtuar TVSH – në). Tarifa duhet paguar brenda dt. 15 të muajit pasardhës.
Koncesionari do të sigurojë të ardhurat e tij përmes Tarifave të Kontrollit dhe të Rikontrollit që do të paguhet nga klientët. Koncesionari ka të drejtë të ndryshojë këto tarifa çdo 3 vjet duke marrë parasysh normën e inflacionit. Nëse ndryshon ndonjë procedurë kontrolli të mjeteve, koncesionari ka të drejtë të rrisë tarifën e kontrollit për të mbuluar kostot e tepërta që mund të dalin.
Në lidhje me tarifat e rikontrollit janë rregullat:
1. Në rast të rikontrollit të parë brenda një periudhe 30 ditore nga dita e kontrollit të parë, 40% e tarifës së kontrollit në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe 20% të tarifës së kontrollit në rast të mospërdorimit të linjave të kontrollit.
2. Për çdo rikontroll të mëpasshëm, pavarësisht numrit të tyre brenda periudhës prej 30 ditësh nga dita e kontrollit të parë, tarifa e rikontrollit do të jetë 50% e tarifës së kontrollit në rast të përdorimit të linjave të kontrollit dhe 20% në rast të mospërdorimit të linjave të kontrollit.
3. Çdo rikontroll i kryer pas 30 ditëve do të konsiderohet kontroll nga e para dhe do të ketë të njëjtat tarifa si tarifa e kontrollit.
Vlera e investimit është 561’003’000 ALL, nga të cilat 267’402’000 ALL do të investohen për pajisje elektromekanike dhe kompjuterike.
Koncesionari do të riinvestojë për makineri, pajisje dhe sistemin kompjuterik në shumën 172’000’000 ALL që përfaqëson 30.7% të investimit. Kjo shumë do të riinvestohet brenda 3 viteve të fundit të periudhës së koncesionit.
Koncesionari ka depozituar në favor të Ministrisë një shumë prej 16’075’569 ALL që do të shërbejë si kompensim për punonjësit që do të humbin vendin e punës si rrjedhojë e ristrukturimit të QKT – ve.
Koncesionari duhet të kërkojë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues për të nënkontraktuar shërbime.
Gjashtë muaj para përfundimit të periudhës koncesionare, koncesionari do të fillojë procesin e dorëzimit të objekteve. Ai do t’i kthejë Autoritetit Kontraktues përdorimin e QKT ekzistuese dhe do t’i transferojë pa pagesë pronësinë mbi QKT e re, QKTL dhe të gjitha pajisjet elektromekanike dhe kompjuterike.
Koncesionari duhet të ketë përfunduar rehabilitimin e QKT ekzistuese brenda 5 muajve dhe duhet të ketë përfunduar ndërtimin e QKT të reja brenda 6 muajve nga data e pajisjes me leje ndërtimi.
Koncesionari nuk duhet të kryejë shërbimin teknik për ato automjetit që nuk kanë paguar detyrimin tatimor si taksën vjetore të qarkullimit rrugor, taksën vjetore të regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe gjobat për mosparaqitjen brenda afateve për kryerjen e shërbimit teknik.

Kompania
SGS Automotive Albania shpk
Përshkrimi i kompanisë
Shoqëria është krijuar më 10.09.2009, me një kapital themeltar prej 190'000'100 ALL. Shoqëria është krijuar posaçërisht për të zbatuar kontratën konçesionare. Zyra e saj qendrore është në adresën: Rruga Irfan Tomini, Pallati G & P, Kati I - rë, Tiranë.
Aksionerët

Societe Generale De Surveillance SA - 100% të aksioneve

Persona dhe entite të lidhura
Alexandros Michail - administratori aktual (06.09.2012 - 20.07.2022)
Ekrem Hajdari (26.08.2010 - 06.09.2012)
Renzo Turcato (10.09.2009 - 26.08.2010)
Duilio Giacomelli (10.09.2009 - 26.08.2010)


Më 04.12.2018, shoqëria përmbarimore private ARB shpk ka lëshuar urdhrin për masën e sekuestros konservative në kuotat e shoqërisë, por kjo masë është hequr më 26.12.2018.

Vendndodhja