Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ndërtimi i landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të venddepozitimeve ekzistuese në Tiranë dhe prodhimi i energjisë elektrike

Kontrata koncesionare është lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë Integrated Energy BV SPV shpk.
Objekti i kontratës është: financimi, projektimi, rehabilitimi, ndërtimi, vënia në punë, administrimi, operimi dhe mirëmbajtja e veprave dhe veprave plotësuese për mbetjet e qarkut Tiranë, si dhe prodhimi i energjisë elektrike. Në fund të periudhës së koncesionit, koncesionari do të transferojë tek Autoriteti Kontraktues të gjithë landfillin. Vetë Autoriteti Kontraktues do të transferonte landfillin dhe asetet e tjera të ndërtuara tek Bashkia e Tiranës, e cila do të administronte.

Kontrata është e formës BOT.
Projekti i kësaj kontrate do të përfshijë:
1. Ndërtimi ose rehabilitimi i të gjitha veprave dhe veprave plotësuese:
• Kapsulimi i venddepozitimit ekzistues, Loti A.
• Impianti i përpunimit të ujërave të ndotura, Loti E.
• Impianti i diferencimit të mbetjeve, Loti D.
• Venddepozitimi i mbetjeve të ngurta urbane, Loti B.
• Impianti i përpunimit të mbetjeve, Loti C.
• Nënstacioni elektrik, Loti I.
• Venddepozitimi i hireve, Loti F.
• Venddepozitimi i mbetjeve inerte, Loti G dhe H.
2. Menaxhimi dhe depozitimi i mbetjeve, prodhimi i energjisë elektrike, importimi i lëndëve djegëse ndihmëse të procesit të funksionimit të impianteve.
3. Transferimi tek Autoriteti Kontraktues në fund të periudhës së koncesionit.
Koncesionari mund të furnizohet me mbetje urbane edhe nga njësi vendore të qarqeve të tjera ose persona të tretë privatë apo publikë. Koncesionari mund të ndryshojë projektin në mënyrë që të shfrytëzojë në mënyrë sa më efecientë impiantin, por me miratimin paraprak nga Autoriteti Kontraktues.
Kohëzgjatja e koncesionit është 30 vjet.
Koncesionari ka të drejta ekskluzive në lidhje me projektin për të gjithë periudhën për të ndërtuar inceneratorin. Kështu, koncesionari ka të drejtat sa më poshtë:
1. Të drejtën për marrjen në posedim, shfrytëzim dhe gëzimin e qetë të të gjitha shesheve, veprave dhe aseteve të projektit.
2. Autoriteti Kontraktues ose Bashkia Tiranë i dorëzojnë venddepozitimin ekzistues menjëherë koncesionarit por jo më vonë se 30 ditë nga data efektive.
3. Koncesionari ka të drejtë të marrë në dorëzim, të operojë dhe të shfrytëzojë të gjitha sheshet nga Bashkia Tiranë.
4. Të shesë dhe të furnizojë me prodhim neto të energjisë elektrike brenda dhe jashtë vendit.
5. Në fund të periudhës koncesionare, koncesionari duhet t’i kthejë Autoritetit Kontraktues të drejtën e përdorimit dhe pronësisë së shesheve, veprave dhe veprave plotësuese.
Kjo kontratë është e formës BOT. Kjo do të thotë që të gjitha veprat dhe çdo ndërtim tjetër pranë venddepozitimeve, impianteve dhe çdo aset tjetër i ndërtuar do të regjistrohet në emër dhe në pronësi të koncesionarit gjatë gjithë periudhës së koncesionit. Koncesionarit i njihet dhe regjistrohet në emër të tij pronësia mbi çdo ndërtim që ai do të kryejë brenda shesheve. Koncesionari mund t’i vendosë në garanci veprat, kontratën, të drejtat e tij mbi pasuritë e paluajtshme në favor të institucioneve huadhënëse vendase dhe të huaja.
Koncesionari e pranon sheshin “në kushtet në të cilat ndodhen” dhe që nga data e marrjes së sheshit, Autoriteti Kontraktues nuk do të jetë më përgjegjës ndaj Koncesionarit në lidhje me gjendjen e sheshit. Autoriteti kontraktues është përgjegjës ndaj Koncesionarit për koston e riparimit të ndonjë ndotjeje ekzistuese të mjedisit dhe Koncesionari do të çlirohet dhe do të mbahet i padëmtuar ndaj pretendimeve të tretëve.
Autoriteti Kontraktues i siguron Koncesionarit akses në sheshet e venddepozitimeve dhe në Rrjetin Elektrik.
Autoriteti Kontraktues dhe as ndonjë entitet tjetër shtetëror nuk duhet t’i japë leje asnjë subjekti tjetër për të punuar, shfrytëzuar mbetje në atë zonë, si edhe ndërtimin e impianteve apo venddepozitimeve. Në rast se kjo ndodh dhe cenon sasinë minimale të garantuar të mbetjeve, Autoriteti Kontraktues duhet të marrë të gjitha masat për ta kthyer koncesionarin në kushtet e mëparshme. Nëse kjo gjë nuk ndodh, atëherë koncesionari ka të drejtë të zgjidhë kontratën.
Autoriteti Kontraktues duhet të ndihmojë koncesionarin me pajisjen e tij me leje, licenca dhe autorizime nga institucionet publike.
Autoriteti Kontraktues garanton koncesionarin për blerjen e energjisë elektrike të prodhuar nga Impianti i Përpunimit të Mbetjeve nga subjektet e furnizimit me energji elektrike.
Autoriteti Kontraktues duhet të garantojë koncesionarin që të gjitha njësitë vendore të qarkut Tiranë që depozitojnë mbetje do të paguajnë koncesionarin në përputhje me të gjitha tarifat dhe afatet e pagesave të vendosura.
Autoriteti Kontraktues duhet t’i garantojë koncesionarit aksesin, lidhjen dhe përdorimin e lirshëm, pa bllokime apo pengesa në rrjetet publike ose private të energjisë, ujit, kanalizime, rrugëve etj.
Koncesionari është përgjegjës për të gjitha rreziqet dhe dëmet që mund t’u shkaktohen të tretëve apo Autoritetit Kontraktues.
Autoriteti Kontraktues do të garantojë përfundimin e plotë dhe pa të meta të procesit të shpronësimeve në dobi të koncesionarit të parcelave dhe pronave brenda shesheve. Të gjitha kostot e procedurave të shpronësimit do të mbulohen nga Autoriteti Kontraktues. Këto sheshe të shpronësuara do të jenë në shfrytëzim nga koncesionari dhe do të jenë të lira nga çdo barrë ose pretendim nga palët e treta.
Autoriteti Kontraktues duhet të asistojë koncesionarin në lidhjen e marrëveshjeve ose kontratave me entitete shtetërore.
Autoriteti Kontraktues do të dëmshpërblejë koncesionarin në lidhje me mospërmbushje të detyrimeve të tij që rrjedhin nga kjo kontratë dhe anasjelltas.
Autoriteti Kontraktues duhet të detyrojë njësitë e qeverisjes vendore të qarkut Tiranë që të mbulojnë kostot e transportit të mbetjeve dhe të pakësojnë kostot e trajtimit të mbetjeve me anë të teknologjive të ndryshme duke mundësuar sistemimin dhe pakësimin e volumit të tyre.
Koncesionari duhet të marrë masë që të kryhen investimet sipas afateve dhe cilësisë së kërkuar dhe të zbatohet projekti i koncesionit.
Koncesionari duhet të parandalojë dhe të kontrollojë çdo ndotje mjedisore të shkaktuar nga ndonjë punim i tij dhe ta kthejë mjedisin në situatën e mëparshme me shpenzimet e veta. Ai duhet të respektojë dispozitat e Kodit të Punës, rregulloret e sigurimit teknik, disiplinës teknike, mbrojtjes në punë, të higjienës dhe sigurimit nga zjarri.
Koncesionari nuk duhet të ndërhyjë në burimet ujore që furnizojnë ujësjellësin e zonës.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë dhe të kontrollojë procesin e punimeve dhe të ndërtimeve të impiantit të mbetjeve. Ai duhet të njoftojë më parë koncesionarin rreth monitorimit që do të kryejë dhe nuk duhet të pengojë veprimtarinë e koncesionarit për shkak të monitorimit të tij. Nga ana tjetër, koncesionari i raporton Autoritetit Kontraktues çdo 3 muaj mbi:
• Ecurinë e punimeve dhe masat e ndërmarra për eliminimin e vonesave.
• Zbatimin e kontrollit të cilësisë dhe të sistemeve të sigurimit.
• Të dhëna mbi shëndetin e punonjësve dhe aksidentet eventuale në punë.
• Pretendimet e palëve të treta.
• Ngjarje apo rrethana sipas të cilave Autoriteti Kontraktues mund të jetë përgjegjës.
Pasi koncesionari ka marrë lejet përkatëse zhvillimore, ai do t’i paraqesë Autoritetit Kontraktues policat e sigurimit, raportet për kushtet mjedisore, sociale dhe shëndetësore, kontratat me nënkontraktorët dhe projektin.
Tarifat që koncesionari do të përfitojë përbëhet nga:
1. Çmimi për ton për mbetje urbane që është i barabartë me 29 euro pa TVSH. Ky çmim paguhet çdo muaj nga njësitë vendore të qarkut Tiranë. Çmimi do të rishikohet çdo 12 muaj duke e indeksuar me inflacionin.
2. Të ardhurat e koncesionarit nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga impiantet e përpunimit të mbetjeve.
Tarifa koncesionare është e barabartë me 2.1% të sasisë të energjisë së prodhuar nga impianti dhe që paguhet nga koncesionari tek Autoriteti Kontraktues.
Autoriteti Kontraktues, nëpërmjet njësive vendore të qarkut Tiranë, garanton koncesionarin në lidhje me furnizimin e tij me një sasi minimale të garantuar të mbetjeve urbane. Nëse kjo sasi nuk arrihet dot, atëherë Autoriteti Kontraktues do ta kompensojë koncesionarin me diferencën e sasisë së paplotësuar shumëzuar me çmimin për ton të mbetjeve urbane.
Autoriteti Kontraktues do të kompensojë koncesionarin për çdo humbje direkte ose fitim të munguar. Ai do t’i garantojë koncesionarit pagesat në kohë dhe pa vonesave të të gjitha tarifave. Nëse ndonjë nga njësitë vendore të qarkut Tiranë nuk i dorëzojnë koncesionarin sasinë minimale të garantuar të mbetjeve, atëherë koncesionari do të përpilojë faturën të cilën do ta paraqesë pranë Bashkisë Tiranë për të marrë edhe pagesën.
Vlera e investimit do të jetë sipas çdo faze ose loti që do të ndërtohet. Koncesionari mund të përfshijë në kostot e investimit edhe veprat plotësuese.
Nëse koncesionari ka kryer shkelje serioze të kushteve të kontratës që mund të çojnë në zgjidhjen e kontratës, Autoriteti Kontraktues mund të njoftojë edhe palën financuese, e cila mund të ndihmojë financiarisht koncesionarin për të korrigjuar këtë shkelje. Nëse nuk zgjidhet dot shkelja e kontratës, pala financuese mund t’i propozojë Autoritetit Kontraktues një tjetër ekip menaxherial ose një subjekt tjetër që mund të zëvendësojë koncesionarin. Autoriteti Kontraktues duhet të miratojë ose jo këtë propozim të palës financuese pa vonesa të paarsyeshme.
Koncesionari mund të nënkontraktojë një pjesë të shërbimeve të tij por duhet të njoftojë dhe marrë miratimin paraprak të Autoritetit Kontraktues nëse vlera e kontratës është të paktën 30% të vlerës së investimit. Koncesionari është përgjegjës përpara Autoritetit Kontraktues për përmbushjen e detyrimeve të nënkontraktorit.
Koncesionari duhet të sigurojë hidrocentralet, pajisjet e punës, punimet e ndërtimit/ montimit dhe çdo dëm që mund t’u shkaktojë të tretëve. Ai duhet të sigurojë kontratën dhe për këtë gjë duhet të ngurtësojë pranë një institucioni bankar ose shoqëri sigurimesh 10% të vlerës totale të investimit. Në këtë rast, nëse koncesionari nuk i plotëson detyrimet e tij atëherë Autoriteti Kontraktues mund të marrë këtë shumë ose pjesë të kësaj shume si rrjedhojë e zbatimit të penaliteteve mbi koncesionarin.
Koncesionari nuk mund të ndryshojë përqindjen e pjesëmarrjes në aksionet e saj ose transferimin e tyre tek persona të tretë pa marrë më parë miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari ka të drejtë të vendosë peng, hipotekë apo ndonjë barrë tjetër mbi aktivet që do të krijohen dhe mund të lidhë çdolloj marrëveshjeje financimi për sa kohë pengu, hipoteka dhe marrëveshja e financimit të shërbejnë që të përmbushet qëllimi i kësaj kontrate.
Në 6 muajt e fundit të periudhës koncesionare, koncesionari do të transferojë tek Autoriteti Kontraktues sa më poshtë:
• Objektin e koncesionit dhe impiante të tjerë, ndërtesa dhe mjete.
• Të gjithë lëndët e para, lëndët e konsumit dhe pjesë këmbimi.
• Të gjitha pasuritë e prekshme personale dhe pasuritë e paprekshme personale (të drejtat e pronësisë intelektuale).
• Të dhëna të kompjuterizuara dhe të pakompjuterizuara, raporte, fotografi, informacione, skica, dokumente.
• Të gjitha garancitë e materialeve, pajisjeve dhe punimeve.
• Të drejtat e kontratës si qeratë dhe policat e sigurimit.
• Të gjitha veprat në progres.
Veprat duhet të jenë në gjendje të mirë dhe funksionale.

Kompania
Integrated Energy BV SPV
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: të zbatojë kontratën e konçesionit. Shoqëria është themeluar më 30.08.2017. Kapitali i saj është 100'000 ALL.
Aksionerët

Integrated Energy B.V. - 100% të kuotave

Persona dhe entite të lidhura
Arjola Kodra - administratori aktual (15.03.2019 - 15.03.2024)
Giuseppe Ciaffaglione - administratori aktual (30.08.2017 - 30.08.2022)

Vendndodhja