Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Ofrimi i hemodializës

Kontrata është nënshkruar midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe shoqërisë DiaVita shpk. Objekti i kontratës është:  koncesionari do të sigurojë të gjitha mjetet, pajisjet dhe materialet mjekësore dhe jo – mjekësore për ofrimin e shërbimeve të mëposhtme: 1. Ofrimi i shërbimit të hemodializës pranë spitaleve rajonale të Shkodrës, Lezhës, Korçës, Elbasanit dhe Vlorës. 2. Rehabilitimi i hapësirave ekzistuese në Shkodër, Vlorë dhe Elbasan dhe rehabilitimi i ambienteve dhe ndërtimi i hapësirave të reja në Korçë dhe Lezhë. 3. Pajisja me postë për kryerjen e hemodializës në të 5 qendrat dhe pajisja me laboratorë për testet mujore laboratorike.

Pajisjet laboratorike do të jenë cellcounter, autoanalizator biokimik dhe analizator imunologjik. Koncesionari duhet të angazhojë një staf të kualifikuar për të garantuar një shërbim cilësor për pacientët e tyre. Koncesionari do të ofrojë shërbimin e hemodializës 3 herë në jave ose rreth 156 herë në vit për 1 pacient. Koncesionari duhet të furnizojë me materiale të nevojshme sallat dhe makineritë për shërbimin e hemodializës. Ai duhet të dixhitalizojë menaxhimin, ndjekjen dhe raportimin e aktiviteteve të kontraktuara. Koncesionari duhet të krijojë brenda hapësirës së ofruar për shërbimin e hemodializës laboratorë në çdo qendër për kryerjen e analizave të detyrueshme për pacientët sipas protokollit të hemodializës. Në përfundim të kontratës së koncesionit, Koncesionari duhet të dorëzojë pranë Autoritetit Kontraktues të gjitha asetet e përdorura dhe pajisjet e tjera. Ai do të rikthejë posedimin e lirë dhe të paqtë të ambienteve, pajisjeve, materialeve dhe mjeteve mjekësore dhe jo – mjekësore të furnizuara në qendrat e hemodializës pranë 5 spitaleve rajonale ku është ofruar ky shërbim. Koncesionari do të transferojë çdo program kompjuterik dhe dokument në lidhje me koncesionin tek Autoriteti Kontraktues. Procesi i dorëzimit do të nisë të paktën 1 muaj përpara datës së mbarimit të periudhës së koncesionit. Të gjitha asetet duhet të jenë në gjendje të mirë pune. Kohëzgjatja e kontratës është 10 vjet. Të drejtat e koncesionit nuk do të jenë ekskluzive, por Autoriteti Kontraktues garanton koncesionarin se numri i pacientëve dhe seancave nuk do të jetë më i ulët se numri i parashikuar në projekt. Nëse gjatë një muaji të caktuar, Autoriteti Kontraktues nuk arrin të përmbushë detyrimin për të garantuar numrin minimal të pacientëve dhe seancave sipas parashikimit, atëherë ai do të dëmshpërblejë koncesionarin për diferencën midis pagesave të parashikuar dhe atyre të realizuar realisht. Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin për të marrë autorizimet, licencat dhe lejet nga entet përkatëse shtetërore. Nëse entet shtetërore vonojnë lëshimin e lejeve pa asnjë arsye, koncesionari nuk do të mbart asnjë përgjegjësi dhe ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim nga Autoriteti Kontraktues. Koncesionari do të hartojë projektin e punës dhe do t’ia paraqesë për miratim Autoritetit Kontraktues. Nëse mund të ndodhin vonesa në shërbim ose ndonjë problem apo dështim të shërbimit, koncesionari do të njoftojë menjëherë Autoritetin Kontraktues dhe do të hartojnë një plan korrigjimi. Nëse koncesionari nuk do të arrijë të ofrojë dot shërbimet për shkak të veprimeve ose mosveprimeve të Autoritetit Kontraktues, atëherë do të ndiqen masat sa më poshtë: 1. Koncesionari do të trajtohet sikur shërbimi ka arritur nivelin e shërbimit të përshtatshëm. 2. Koncesionari do të ketë të drejta ndaj çmimit ose pagesës ashtu sikurse shërbimet janë kryer në mënyrë të plotë. 3. Koncesionari do të rimbursohet për shpenzimet të panevojshme ai vetë ka kryer për shkak të pazotësisë ose fajit të Autoritetit. Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të monitorojë realizimin e detyrimeve të kontratës nga ana e koncesionarit. Ai do t’i japë një njoftim koncesionarit përpara se të kryejë kontrollin. Koncesionari ka detyrimin për të kryer përmirësime të shërbimeve. Këto përmirësime do të përqendrohen sa më poshtë: • Përmirësimi i teknologjisë. • Përmirësimi i shërbimeve duke përfshirë cilësinë, përgjegjshmërinë, procedurat, mekanizmat e performancës dhe shërbimet mbështetëse. • Përmirësime në proceset e punës. Nëse Autoriteti Kontraktues pranon të zbatojë ndonjë ndryshim, ai duhet të hartojë një plan së bashku me koncesionarin dhe duhet të përcaktojnë edhe kostot shtesë. Koncesionari do të përdorë sistemin vetëm për ofrimin e shërbimeve për Autoritetin Kontraktues dhe nuk do ta përdorë për qëllimet e veta dhe për t’i shërbyer palëve të treta. Të gjitha pajisjet mjekësore dhe jo – mjekësore, materialet dhe mjetet janë në qendrat e ofrimit të shërbimit të dializës dhe si rrjedhojë do të jenë nën riskun, përgjegjësinë dhe kostot e Autoritetit Kontraktues. Çmimi për shërbimet e ofruara do të jetë çmimi i paraqitur nga koncesionari dhe i pranuar nga Autoriteti Kontraktues. Çmimet për shërbimet e ofruara do të jetë çmimi neto duke përjashtuar TVSH – në. Fatura e lëshuar nga koncesionari do të jetë faturë tatimore me TVSH e përllogaritur mbi çmimin neto. Çmimi mund të rishikohet midis koncesionarit dhe Autoritetit Kontraktues. Koncesionari do të bëjë të gjitha përpjekjet dhe do të sigurojë një financim të përshtatshëm qoftë përmes financimit me kredi ose me kapitale të tij ose përmes një kombinimi të tyre. Koncesionari deklaron se përllogaritja e çmimit të shërbimit është kryer mbi bazën e tarifave aktuale të taksave dhe tatimeve, duke përfshirë edhe taksat doganore, në ditën që ai ka paraqitur ofertën pranë Autoritetit Kontraktues. Çdo ndryshim i ardhshëm në lidhje me ndonjë taksë apo tatim do të jetë shkak për rishikimin e çmimit të shërbimit. Koncesionari ka të drejtë të nënkontraktojë secilin nga detyrimet e tij, por duke njoftuar më parë Autoritetin Kontraktues. Koncesionari është përgjegjës para Autoritetit Kontraktues në lidhje me veprimet e nënkontratorëve të tij. Autoriteti Kontraktues mund të ushtrojë kontrolle mbi koncesionarin në lidhje me fushat sa më poshtë: • Integritetin, konfidencialitetin dhe sigurinë e të dhënave. • Zbatimi i duhur i legjislacionit për shërbimet. • Zbatimi i duhur i detyrimeve të koncesionarit. • Vlerësimi i çdo materiali gjatë skicimit dhe zhvillimit të sistemit, testimin, planet e zbatimit etj. • Inspektim të sistemit. Ndryshimi i pronësisë së aksioneve ose i menaxhimit të shoqërisë koncesionare nuk mund të zbatohet pa miratimin e Autoritetit Kontraktues dhe të Ministrisë së Financave, përveçse në rastin kur kuotat ose aksionet tregtohen në një treg të rregullt të kapitalit. Koncesionari do të mirëmbajë dhe do të riinvestojë ato sisteme të cilat paraqesin një nevojë të arsyeshme për të punuar në kushte normale pune. Riparimi dhe zëvendësimi i mjeteve me defekt do të sigurohen nga koncesionari pa marrë asnjë shpërblim nga Autoriteti Kontraktues. Koncesionari duhet të përditësojë programet kompjuterike. Këto përditësime lidhen me modifikime që kompensojnë defekte të mundshme të gjetura gjatë operimit normal të biznesit dhe nuk përfshijnë shtimin e veçorive të reja ekstra. Koncesionari do të jetë përgjegjës për dëmtime që lidhen me defekte të dukshme ose të padukshme të shërbimeve dhe ambienteve të ndërtuara ose të rinovuara nga ai vetë. Ai nuk është përgjegjës për dëmtimet, humbjet apo vjedhjet që vijnë për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve të Autoritetit Kontraktues. Koncesionari do t’i transferojë Autoritetit Kontraktues licencën e përdorimit, të transferueshme, të gjithanshme, të lirë, joekskluzive për të përdorur programin kompjuterik të palëve të treta nëse Autoriteti Kontraktues do të paguajë kostot e lidhura me të. Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për sigurinë e ambienteve ku do të ofrohet shërbimi i dializës duke ruajtur pajisjet e nevojshme për ofrimin e shërbimeve. Ai është përgjegjës për dorëzimin e ambienteve të lira nga çdo barrë ose pretendim i palëve të treta dhe për gjendjen e tyre strukturore dhe të sigurtë. Autoriteti Kontraktues nuk do të jetë përgjegjës për mosfunksionimin e duhur të pajisjeve mjekësore për shkak të amortizimit të tyre. Kjo është përgjegjës e koncesionarit i cili do të marrë masat e nevojshme për riparimin ose zëvendësimin e tyre. Personeli i spitaleve rajonale nuk duhet të përdorë pajisjet dhe materialet mjekësore të koncesionarit për qëllime të tjera nga ky i parashikuar në këtë kontratë. Nëse ndodh diçka e tillë, Autoriteti Kontraktues do të jetë përgjegjës për dëmet që mund të rrjedhin nga këto shkelje. Autoriteti Kontraktues do të dëmshpërblejë koncesionarin për dëme që mund t’i shkaktojë për shkak të veprimeve ose mosveprimeve të tij. Autoriteti Kontraktues do të sigurojë furnizimin e pandërprerë me energji elektrike në 5 qendrat e ofrimit të shërbimit të hemodializës pranë spitaleve. Autoriteti Kontraktues do të dëmshpërblejë, mbrojë dhe ruajë koncesionarin të pacënuar nga procedime, veprime, pretendime të palës së tretë për humbje, dëm dhe shpenzim që mund të ketë lindur si rrjedhojë e veprimtarisë së vetë Autoritetit Kontraktues. Kjo gjë vlerën edhe anasjelltas. Koncesionari do të mbajë dhe ruajë sigurimet. Koncesionari duhet të raportojë tek Autoriteti Kontraktues çdo 6 muaj në lidhje me përparimin e realizuar në zhvillimin e koncesionit. Koncesionari do të kryejë Sigurimin e Kontratës pranë një shoqërie sigurimi në shumën 10% të investimit. Sigurimi i kontratës do të mbulojë ato shkelje që kryen koncesionari dhe që lidhen me vonesat dhe shkaktimin e dëmeve. Në fund të periudhës koncesionare, koncesionari do t’i transferojë Autoritetit Kontraktues pa kundërshpërblim pajisjet mjekësore, laboratorët, mjetet mjekësore dhe jo – mjekësore, sistemet hardware dhe software dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Kompania
DiaVita shpk
Përshkrimi i kompanisë
Bashkimi i shoqërive Evita shpk dhe American Hospital. Kjo shoqëri është krijuar për të zbatuar konçensionin e hemodializës. Shoqëria është themeluar më 15.10.2015 me qendër në Tiranë.
Aksionerët

Diaverium International AB - zotëron 100 % të aksioneve.
Më 30.09.2019, shoqëria Evaita dhe American Hospital i kanë shitur aksionet e tyre shoqërisë Diaverium International AB.
Më 31.07.2019 u vendos që të zmadhohet kapitali I shoqërisë:
Vlera e kapitalit ishte 1'000'000 u bë 157'294'851.
Vlera e aksioneve ishte 500'000 u bë 78'647'425.5.
Në këtë periudhë Evita zotëron 85 % të aksioneve, ndërsa American Hospital 15 % të tyre.

Persona dhe entite të lidhura
Augustin-Viorel Simion - administratori aktual (30.09.2019 - 30.09.2024)
Hans Carl-Anders Abrahamsson - administratori aktual (30.09.2019 - 30.09.2024)
Klodian Shehi - administratori aktual (30.09.2019 - 30.01.2020)
Oto Kamberi - administrator (15.09.2016 - 30.07.2019)
Marsida Hoxha - administrator (15.10.2015 - 15.09.2016)

Vendndodhja