Partneritet Publike Private në Shqipëri

Zbulo kontratat, kompanitë koncesionare dhe burimet e financimit

Databaza e projekteve koncesionare dhe të Partneritet Publik Privat të nënshkruara nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2004-2020.

Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit

Kontrata e koncesionit është lidhur midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë Gjoka Konstruksion sha.    
Objekti i marrëveshja e koncesionit: përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit.

Kontrata është e formës BOT. Sipas kësaj kontrate, koncesionari ka të drejtat dhe detyrimet ekskluzive sa më poshtë:
• Hartimi i dokumentacionit të projektit përfundimtar.
• Të realizojë punimet e përmirësimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së projektit.
• Të sigurojë financimin për projektin.
• Të realizojë operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës.
Koncesionari do të krijojë shoqërinë koncesionare për ndërtimin e rrugës dhe brenda 90 ditës do të transferojë të gjitha të drejtat dhe detyrimet tek shoqëria koncesionare.
Koncesionari dorëzon Garancinë e Kontratës në momentin e nënshkrimit të saj. Garancia e kontratës mbulon të gjitha detyrimet e koncesionarit nëse ai nuk i kryen ato dhe Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të tërheqë shumën përkatëse në rastin kur koncesionari nuk i përmbush detyrimet e tij. Garancia e kontratës është lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë ose shoqëri e sigurimit. Vlera e garancisë do të jetë sa 2% të vlerës së punimeve ndërtimore të parashikuara sipas skicë – idesë deri në datën e fillimit të zbatimit të kontratës. Pas datës së fillimit të zbatimit të kontratës, vlera e garancisë do të jetë 10% të vlerës së punimeve ndërtimore.
Kohëzgjatja e kontratës së koncesionit është 13 vjet.
Koncesionari mund të nënkontraktorë një pjesë të detyrimeve të tij tek palët e treta, por vetëm me miratimin e Autoritetit Kontraktues. Koncesionari mund të zgjedhë që të zëvendësojë nënkontraktorin, por sërish duhet të marrë miratimin e Autoritetit Kontraktues, i cili duhet të vlerësojë gjendjen financiare, juridike dhe aftësitë teknike të koncesionarit. Koncesionari është përgjegjës për përmbushjen e tij ndaj Autoritetit Kontraktues. Ai është përgjegjës përpara Autoritetit Kontraktues edhe për veprimet ose mosveprimet e nënkontraktuesit.
Nëse ndryshon mbi 40% e aksioneve të kapitalit themeltar të shoqërisë koncesionare ose nëse shoqëria koncesionari ndryshon kontrollin e pronësisë, ajo duhet të njoftojë brenda 10 ditëve Autoritetin Kontraktues. Për çdo ndryshim të transferimit të kontrollit, pronësisë, transferimit të aksioneve nga një ortak tek një ortak ekzistues ose tek një ortak i ri, shoqëria koncesionare duhet të marrë pëlqimin paraprak të Autoritetit Kontraktues.
Autoriteti Kontraktues e garanton koncesionarin që ai nuk do të jetë përgjegjës për punime që janë zhvilluar në rrugë nga një palë e tretë. Koncesionari nuk do të jetë përgjegjës për defekte të këtyre punimeve.
Autoriteti Kontraktues e garanton koncesionarin që të gjitha dokumentet, informacionet, skicat që ai i ka vënë në dispozicion koncesionarit janë të sakta dhe pa defekte. Në rast se ndodhin pengesa ose probleme që lidhen me të dhëna të pasakta, atëherë Autoriteti Kontraktues duhet ta kompensojë ose ta lehtësojë koncesionarin.
Autoriteti Kontraktues do të ketë nën zotërim dhe do të posedojë rrugën deri në datën e fillimit të zbatimit të kontratës. Ai nuk do të bëjë përgjegjës koncesionarin për dëme që mund të ketë rruga përpara datës së dorëzimit të saj tek koncesionari. Koncesionari nuk do të mbajë përgjegjësi për vonesa në zbatimin e kontratës ose për ndryshime në projekt si rezultat i rregullimit të dëmeve që ka pasur rruga që para se ta merrte koncesionari në dorëzim.
Autoriteti Kontraktues do të ndihmojë koncesionarin për pajisjen me leje dhe licenca dhe do të mbajë kontakte të afërta me autoritetet përkatëse qendrore dhe lokale për lëshimin e këtyre lejeve.
Autoriteti Kontraktues do të sigurojë aktivitetin e koncesionarit në mënyrë të tillë që ky të operojë i qetë. Autoriteti Kontraktues do të sigurojë koncesionarin që të mos cënohet në aktivitetin e tij nga palë të treta sidomos për çështje të shpronësimeve.
Autoriteti Kontraktues garanton që do të kryejë pa vonesë të gjitha pagesat dhe detyrimet financiare kundrejt koncesionarit duke përfshirë pagesat, kompensimet dhe rimbursimet. Autoriteti Kontraktues do të marrë të gjitha masat për mbulimin e kostove përkatëse për shkak të dëmeve të shkaktuara nga forca madhore.
Koncesionari nuk i ndryshon kushtet thelbësore të marrëveshjes së financimit dhe nuk pranon ndonjë financim tjetër pa pëlqimin paraprak të Autoritetit Kontraktues. Autoriteti Kontraktues duhet të vlerësojë nëse financimet nga burime të reja do të dëmtojnë aftësinë e koncesionarit për të përmbushur detyrimet e tij ose do të dëmtojë aftësinë e koncesionarit për të bërë një rifinancim.
Autoriteti Kontraktues është pronari dhe poseduesi i ligjshëm i tokës së territorit të projektit ku shtrihet rruga përpara datës së hyrjes në fuqi të kontratës. Autoriteti Kontraktues e lejon koncesionarin që të futet në territorin e projektit për të verifikuar kushtet. Autoriteti Kontraktues e garanton koncesionarin se territori i projektit është i lirë nga çdo barrë dhe detyrim ndaj palëve të treta. Autoriteti Kontraktues do të mbulojë të gjitha shpenzimet dhe kostot në lidhje me marrjen e kontrollit dhe shpronësimin e tokës. Në datën e përfundimit të kontratës, koncesionari i kthen Autoritetit Kontraktues territorin e projektit. Koncesionari do ta përdorë territorin e projektit vetëm për arsyet dhe në kushtet e parashikuara në këtë kontratë. Autoriteti Kontraktues do të mbulojë të gjitha shpenzimet e regjistrimit të pronësisë dhe të drejtave të përdorimit të tokës në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive. Gjithashtu, ai do të mbulojë të gjitha kostot që mund të lindin për shkak të akteve ligjore të nxjerrë nga Këshilli i Ministrave.
Autoriteti Kontraktues do të miratojë pikat e reja të shërbimit dhe vendpushimet e reja. Gjithashtu, ai do të vendosë për heqjen e pikave ekzistuese të shërbimit dhe vendpushimeve.
Nëse koncesionari gjykon se i nevojitet ndonjë truall shtesë për Territorin e Projektit për të përmbushur detyrimet e tij, atëherë Autoriteti Kontraktues do të bëjë të mundur që të sigurojë këtë truall shtesë sa më parë përmes procedurave të shpronësimit. Të gjitha kostot për përfitimin e truallit shtesë do t’i mbulojë Autoriteti Kontraktues. Sapo merret trualli shtesë, ai do të konsiderohet si pjesë e Territorit të Projektit.
Nëse krahas Territorit të Projektit dhe truallit shtesë, koncesionarit i nevojitet përkohësisht edhe një truall ekstra për të përmbushur detyrimet e tij, atëherë ai i bën kërkesë Autoritetit Kontraktues dhe ky i fundit duhet të japë miratimin. Të gjitha shpenzimet në lidhje me truallin ekstra do të mbulohen nga koncesionari. Në fund të përdorimit të të truallit ekstra, të gjitha të drejtat në lidhje me këtë truall do t’i transferohen Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari dhe nënkontraktorët e tij do të zbatojnë kërkesat e legjislacionit mjedisor dhe do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar ndotjet mjedisore.
Koncesionari përgatit projektin përfundimtar të kontratën (ose projektin e zbatimit) brenda 6 muajve nga data e nënshkrimit të kontratave. Autoriteti Kontraktues do të analizojë projektin, mund të bëjë komente dhe sugjerime dhe më pas mund ta miratojë. Koncesionari do të përfundojë punimet e përmirësimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve brenda afateve të përcaktuara.
Nëse koncesionari nuk arrin të sigurojë financimin e nevojshëm për shkak të veprimeve ose mosveprimeve të Autoritetit Kontraktues, atëherë asnjëra prej palëve nuk ka ndonjë detyrim pagese ndaj njëra – tjetrës. Autoriteti Kontraktues duhet të zhbllokojë garancinë e kontratës dhe të dëmshpërblejë koncesionarin.
Nëse ndonjë rrjet i infrastrukturës publike pengon ose përbën një rrezik material për vijimin e punëve në territorin e projektit, atëherë koncesionari do të njoftojë Autoritetin Kontraktues. Së bashku me autoritetet e tjera publike përkatëse, ata do të vendosin për ta risistemuar ose hequr këtë infrastrukturë. Të gjitha shpenzimet që lidhen me këtë infrastrukturë, do të përballohen nga Autoriteti Kontraktues. Nëse i përballon koncesionari, atëherë ai do të rimbursohet.
Koncesionari duhet të marrë të gjitha masat paraprake që të mos lejojë persona të tretë të hyjnë në territorin e projekti, në territorin shtesë ose në territorin ekstra. Ai gjithashtu e mban territorin e projektit të pastër nga pengesat e panevojshme dhe i magazinon ose i largon të gjitha pajisjet, objektet ose materialet e tepërta. Koncesionari pastron ose largon nga territori i projektit çdo mbeturinë, mbetje apo punë të përkohshme që nuk kërkohet më.
Koncesionari përgatit dhe zbaton në lidhje me çdo gazë të projektit një sistem të kontrollit dhe sigurimit të cilësisë në përputhje me standardin ISO 9001. Ky sistem mbulon menaxhimin e përgjithshëm, sistemin e kontrollit, planifikimin, projektimin, ndërtimin, vënien në punë dhe mirëmbajtjen e rrugës.
Autoriteti Kontraktues ka të drejtë t’i kërkojë koncesionarit të riparojë çdo defekt në punime me shpenzimet e veta gjatë periudhës përkatëse të përgjegjësisë së tij. Në çdo kohë, koncesionari kryen punët dhe shërbimet që të mos përkeqësojë defektet dhe ndërmerr të gjitha hapat për të minimizuar pasojat e çdo defekt të ditur.
Nëse gjatë periudhës së mirëmbajtjes së segmenteve të ndërtuara pjesërisht zbulohet një defekt i fshehtë, që nuk mund të zbulohej më parë nga inspektimet ose nga dokumentacioni i vendosur në dispozicion, atëherë koncesionari mund të kryejë riparimin e defektit të fshehtë me kërkesë të Autoritetit Kontraktues. Nëse vlera e riparimit të defektit të fshehtë së bashku me vlerën e riparimeve të tjera nuk i kalon 10’000’000 ALL atëherë koston e mban koncesionari. Në rast të kundërt, Autoriteti Kontraktues do ta rimbursojë për koston e riparimit të defektit të fshehtë koncesionarin.
Koncesionari ndërmerr dhe angazhohet që çdo nënkontraktor dhe punëmarrësit e tij të kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme për të mirëmbajtur rrugën që të sigurohet shfrytëzimi i pandërprerë dhe i sigurtë i saj dhe respektimi i manualeve të shfrytëzimit dhe mirëmbajtjes.
Koncesionari duhet të marrë të gjitha masat që të ketë një lëvizje të qetë dhe të pandërprerë të trafikut dhe për t’i mbajtur në minimum vonesat. Gjithashtu, ai kundërvepron sa më shpejt që të jetë e mundur ndaj emergjencave apo incidenteve në punë.
Në fund të vitit të 9 të periudhës së koncesionit, koncesionari i paraqet Autoritetit Kontraktues dhe Inxhinierit të Pavarur një program të riparimeve të nevojshme që përfshin një plan 3 vjeçar të përditësuar të mirëmbajtjes dhe një program vjetor të riparimeve që lidhen me vitin e ardhshëm. Autoriteti Kontraktues mund të bëjë komente në lidhje me këtë program përpara se ta miratojë.
Territori i projektit dhe rruga janë nën pronësinë e Autoritetit Kontraktues, por koncesionari është përgjegjës për ruajtjen dhe riparimet e dëmtimit të territorit të projektit dhe rrugës.
Koncesionari duhet të respektojë kërkesat në lidhje me sigurinë në punë.
Autoriteti Kontraktues mund të bëjë kontrolle koncesionarit në lidhje me cilësinë e shërbimeve të ofruara dhe standardin e punimeve. Këto kontrolle do të kryhen me shpenzimet e Autoritetit Kontraktues.
Gjatë periudhës së ndërtimit të rrugës dhe përmirësimit të saj, koncesionari do të hartojë situacionet mujore dhe faturën mujore përkatëse të cilat do t’ia dërgojë Autoritetit Kontraktues që t’i paguajë. Në rast se koncesionarit i ka lindur e drejta të kompensohet nga Autoriteti Kontraktues, koncesionari i dërgon situacionet, faturat përkatëse dhe çdo dokument tjetër.
Autoriteti Kontraktues duhet të paguajë në total një vlerë prej 33’600’000’000 ALL dhe pagesat do të kryhen me 4 këste të barabarta në vit. Pagesat do të kryhen vetëm pasi koncesionari të ketë realizuar 25% të volumit të punimeve të parashikuara. Pavarësisht kësaj, Autoriteti Kontraktues do të nis ta paguajë koncesionarin vetëm nëse ky i fundit ka kryer të paktën 20% të volumit të parashikuar të punimeve. Kjo pagesë do të kryhet në raport me volumin e punës së kryer. Pjesa tjetër e pagesës do të paguhet në këstet e ardhshme. Nëse për shkaqe vonese nga ana e Autoritetit Kontraktues ose për shkaqe të forcës madhore, koncesionari ka kryer më pak se 20% të punimeve të planifikuara, ai do të paguhet nga Autoriteti Kontraktues vetëm në përpjesëtim me punën që ka arritur të realizojë.
Koncesionari merr përsipër të kompensojë dëmin, humbjen ose kërkesën për dëmshpërblim të Autoritetit Kontraktues ose palëve të treta për veprime apo mosveprime të tij.
Koncesionari blen dhe ruan të gjitha sigurimet e nevojshme për të kryer punën e tij sipas kësaj kontrate. Ai sigurohet që edhe nënkontraktorët të jenë të pajisur me polica sigurimi. Sigurimet do të lidhen me shoqëri sigurimi me miratimin e Autoritetit Kontraktues.
Koncesionari i kthen rrugën Autoritetit Kontraktues në datën e përfundimit të afatit të kësaj kontrate. Rruga duhet të jetë në gjendje të mirë dhe funksionale, e mirëmbajtur, pa barrë pas dorëzimit. Koncesionari nuk mban më përgjegjësi për mirëmbajtjen dhe riparimet e dëmtimeve të mëpasshme të rrugës.
Jo më vonë se 3 vjet përpara datës së përfundimit të kontratës, koncesionari kryen vrojtimin fillestar për kthimin e rrugës që të vlerësojë gjendjen e saj dhe të marrë masat e nevojshme për të kryer investimet e duhura kapitale ose ndonjë punim tjetër. Jo më vonë se 18 muaj përpara kthimit, koncesionari bën një plan paraprak të vlerësimit të kthimit që do të përcaktojë ecurinë e mirëmbajtjes së rrugës për pjesën e mbetur të afatit.
Në momentin që Autoriteti Kontraktues merr në dorëzim rrugën, ai i lejon koncesionarit hyrje – dalje të lirë nga territori i projektit për të larguar personelin, stafin, pajisjet dhe makineritë. Gjithashtu, të drejtat e koncesionarit për mirëmbajtjen e rrugës do të marrin fund në momentin e dorëzimit të territorit. Koncesionari i dorëzon Autoritetit Kontraktues manualet e shfrytëzimit dhe të mirëmbajtjes, së bashku me të gjitha dokumentet dhe të dhënat që kanë lidhje me projektin e zbatimit.

Kompania
Gjoka Konstruksion
Përshkrimi i kompanisë
Objekti i veprimtarisë: ndërtimi i objekteve të ndryshme si kinema, objekte argëtimi, supermarketeve, stacioneve të servisit etj. Prodhimi i materialeve të ndërtimit, betonit, inerteve, parafabrikateve. Importi dhe eksporti i karburanteve, gazit, vajrave lubrifikantë etj. Shoqëria është themeluar më 01.04.1994. Kapitali i saj është 2'700'000'000 ALL.
Aksionerët

Rrok Gjoka - 100% të aksioneve

Persona dhe entite të lidhura
Rrok Gjoka - administratori aktual (24.03.1999 - 15.02.2021)
Feride Gjoka - administrator (01.04.1994 - 24.03.1999)


Më 25.03.2019, përmbaruesi gjyqësor privat, Altin Vako, ka urdhëruar vendosjen e masës së sekuestros konservative mbi të gjitha aksionet e e shoqërisë Gjoka Konstruksion sha. Më 09.04.2019 është hequr kjo masë sekuestro.
Më 24.07.2018 është depozituar Marrëveshje Siguruese.
Më 11.09.2008, shoqëria e shndërroi formën e saj të organizimit nga shpk në sha.

Vendndodhja